Përballje

Batatina: Nuk na mposhti Ballkani, por na mposhtën arbitrat


Ballkani e mposhti Llapin me rezultat 1:0 në ndeshjen e vlefshme të javës se 31-të në Superligën e Kosovës, me golin e vetëm të shënuar nga Blend Baftiu.

Ndeshja e zhvilluar në Suharekë, prodhoi shumë momente tensioni, ku gjyqtari Besfort Kasumi shpërndau tre kartonë të kuq, një për vendasit dhe dy për mysafirët.

Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, tha se fitoren nuk e arriti Ballkani por gjyqtari i ndeshjes.

“Nuk u luajt futboll, nuk na mposhti Ballkani por na mposhtën arbitrat. Besforti ia dhuroj tre pikët Ballkanit dhe jo futbollistët.” ishin fjalët e trajneri të Llapit, Tahir Batatina.

“U dëmtuam me një penallti, me një faull, u dëmtuam shumë. Organizimi ishte katastrofal. Të fyhet të shahen trajnerët e skuadrave tjera. Kjo është në dëm të futbollit”, shtoi ai.

Gjithashtu, Batatina tha se kundërshtari i tyre nuk e meriton të luajë në Evropë.

“Në çdo aspekt ne e dominuam Ballkanin. Kjo skuadër mendon të dal në Evropë, por me këtë organizim nuk i duhet as titulli dhe as Evropa” tha mes të tjerash trajneri i Llapit.

Kujtojmë që Ballkani, me tre pikët e marra ndaj Llapit, tani pozicionohet në krye të tabelës me 67 pikë, një më shumë se Prishtina dhe dy më shumë se kampioni Drita.

Kurse skuadra e Llapit ndodhet në vendin e pestë në tabelë me 39 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore