Lajme

Bashkimi Evropian akuzohet për shkelje të privatësisë së emigrantëve


Bashkimi Evropian (BE) është akuzuar se po planifikon “një mënyrë për mbikëqyrje masive të emigrantëve”.

Kjo, pasi unioni ka propozuar ndryshime të bazës së të dhënave për azilkërkuesit.

31 organizata joqeveritare, përfshirë Amnesty International dhe Rrjetin Evropian Kundër Racizmit, kanë dërguar një letër të hapur drejtuar Parlamentit Evropian.

Ata u kanë kërkuar eurodeputetëve të marrin në konsideratë letrën e tyre dhe të mos lejojnë rishikimin e të dhënave “Eurodac” të gjurmëve të gishtërinjve të azilkërkuesve.

Në vitin 2018, ligjvënësit nga Parlamenti Evropian dhe ministrat e Brendshëm të BE-së arritën një marrëveshje politike për të zgjeruar bazën e të dhënave.

Ata kërkuan që të përfshihen imazhe të fytyrës, detaje të pasaportës, kartës së identitetit, si dhe gjurmët e gishtërinjve.

Gjithashtu ndryshimi përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve te fëmijët gjashtëvjeçar.

Ndryshimet ende nuk kanë hyrë në fuqi, pasi projekt-ligji është “ngrirë” në pritje të një marrëveshjeje.

OJQ -të thanë se zgjerimi i bazës së të dhënave ishte “ndërhyrës, joproporcional dhe shkelje e privatësisë”.

Ata kritikuan gjithashtu propozimet për të marrë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografuar fëmijët emigrantë.

“Marrja dhe mbajtja e të dhënave biometrike të fëmijëve, për qëllime që nuk lidhen me mbrojtjen, është një shkelje serioze invazive dhe e pajustifikuar e të drejtave të fëmijës”, thuhet në letër, duke pretenduar se planet bien ndesh me udhëzimet e OKB-së.

Ligjvënësit e BE-së kanë argumentuar se baza e të dhënave duhet të zgjerohet tek të rinjtë për të ndihmuar në identifikimin dhe gjurmimin e fëmijëve të zhdukur, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur të miturit nga rënia në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore ose kontrabandistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore