Shqipëria

Bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit, Begaj takon ambasadoren amerikane


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Begaj në fjalën e tij tha se ka diskutuar mbi mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe bashkëpunimin me aleatët amerikanë.

Ai shtoi se në takim u vlerësua partneriteti strategjik, si dhe u diskutua për çështje të rëndësishme dhe fusha jetike të bashkëpunimit dypalësh si energjia, siguria, reforma në drejtësi dhe sfidat aktuale globale.

“Për sa i përket mandatit të Shqipërisë, në Këshillin e Sigurimit, biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe shprehëm vullnetin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe bashkërenduar qëndrimet në të ardhmen për çështje të interesit të përbashkët”, shkruan Begaj në postimin e tij në median sociale Facebook.

Ndërkohë, Shqipëria në fund të muajit qershor përfundoi edhe mandatin e presidencës së parë një-mujore në Këshillin e Sigurimit, ku vendi aderon për të parën herë në një mandat të përkohshëm dy-vjeçar.

Në 30 ditë të mandatit, jo pak gjë u arrit nga delegacioni shqiptar.

Pavarësisht se agjenda merr një sfond global, që prej ditës së parë të presidencës, një zë të veçantë e pati Kosova në retorikën diplomatike shqiptare.

Teksa, mbyllja e 30-ditëshit, do të ishte me kauzën më aktuale momentalisht, luftën në Ukrainë, ku Shqipërisë do t’i kërkohej një mbledhje urgjente nga ana e Kievit, për të ndëshkuar sulmin rus në një qendër tregtare, ku të vdekur mbetën 18 persona e të plagosur dhjetëra të tjera.

Pikërisht kështu ndodhi, duke u finalizuar edhe me një deklaratë të përbashkët ndëshkuese të akteve, firmosur nga gjashtë vende, të kryesuara nga Shqipëria.

Një raport i gjatë vjetor u prezantua po ashtu nga ambasadori Hoxha në fillim të marrjes së karriges drejtuese në Këshill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore