Shqipëria

Basha takon kryeparlamentarin ukrainas: Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe dëmet e shkaktuara


Kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, është takuar këtë të martë të 16 prillit me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.

“Kënaqësi që në prag të nisjes së diskutimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës të takoja kryetarin e Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk”, ka treguar Basha.

Ai ka specifikuar se në fokus të diskutimit ka qenë situata e atjeshme dhe nevoja për të shtuar përpjekjen në ndihmë të Ukrainës.

“Fitorja e Ukrainës jo vetëm që do të fuqizojë kauzën e demokracisë, por gjithashtu do të rrisë sigurinë evropiane”, ka thënë Basha.

“Më shprehu mirënjohjen e vendit të tij për rezolutën e paraqitur prej meje. Jam i lumtur që mu dha mundësia që edhe Shqipëria të japë një kontribut të rëndësishëm për krijimin e mekanizmit përmes të cilit Rusia sot dhe çdo agresor i mundshëm në të ardhmen, të mbahet përgjegjës edhe financiarisht për krimet dhe dëmet e shkaktuara”.

Ai uron që ky kontribut edhe në emër të Shqipërisë të vendosë standardet për të sotmen dhe të ardhmen, duke i shërbyer paqes dhe sigurisë në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore