Zgjedhjet në Shqipëri

Basha: Qarku i Kukësit më i braktisuri, 25 prilli nuk është fundi i betejës


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me qytetarë e Kukësit dhe Hasit është shprehur se të gjithë e dinë që qarku i Kukësit është më i braktisuri gjatë këtyre 8 viteve.

“Unë jam dëshmitar okular se bashkë me ju. Kemi qenë në qendër të qytetit, në tregun e qytetit, në shtëpitë e kuksianëve, bizneset e kuksianëve dhe kemi parë sesi janë zbrazur në veçanti nga rinia e janë zvogëluar familjet, bizneset janë mbyllur ndërkohë që terrori qeveritar, hakmarrja qeveritare është vërsulur mbi ju”, u shpreh Basha.

Gjithashtu në fjalën e tij kryedemokrati ceku vendosjen e traut në Rrugën e Kombit dhe mbylljen e universitetit.

“Në Kukësin e zbrazur nga kuksianët, në Kukësin e zbrazur në veçanti nga mbështetësit tanë, nga demokratët, ju keni arritur të sillni në të gjithë qarkun 6 mijë vota më shumë. Ky është treguesi i forcës tonë, ky është tregues i forcës së demokratëve, i forcës tuaj, i drejtuesve, i veteranëve që dinë të përballen dhe me betejat më të pabarabarta siç ishte kjo betejë, siç e dinit nga fillimi që do të ishte”.

Sipas Bashës, 25 prilli nuk është dita e fundit e betejës që është nisur.

“Është ndalja e dhunshme e përkohshme e ndryshimit që shqiptarët e deshën me 25 prill, që kuksianët e votuan me 25 prill dhe që sot e duan akoma më shumë. Në vend që të na ulnin në gjumë, ne u rritëm u bëmë më të fortë. Në Kukës qartësisht po kështu edhe në Shqipëri”.

Ndërkohë nga Hasi, tha se treguan vendosmërinë dhe qëndresën.

“Dua të deklaroj qartë dhe prerë para jush sot meqenëse jemi në mesin e një agresioni ndaj Partisë Demokratike dhe propagande të shfrenuar. Është qëllimi im i prerë dhe synimi im final në drejtim të Partisë Demokratike, që jo vetëm të mos ti shtrijë dorën dhe bashkëpunimit Edi Ramës por që së bashku menjëherë pas përfundimit të kësaj gare të nisim betejën për rrëzimin e regjimit të tij”.

Basha theksoi se asnjë parti tjetër politike nuk e ka në genin e vet, në ADN e vet teknologjinë e rrëzimit të regjimit përveç Partisë Demokratike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore