Shqipëria

Basha: Me një skandal duan të mbulojnë një tjetër skandal


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në një konferencë për mediat pas publikimit të të dhënave të ndjeshme, duke nënvizuar se qeveria shqiptare po përpiqet të mbulojë “skandalin e inceneratorëve me një tjetër skandal”.

“Ky skandal lidhet me skandalin tjetër më të madh, atë të vjedhjes së inceneratorëve. Zbatuesi i saj është Edi Rama. Shqiptarët s’kanë dyshim që koka e inceneratorëve, nuk është Lefter Koka”, tha para mediave Basha.

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan të dhënat e individëve mbi numrin personal të identifikimit, pozicionin e punës dhe pagat, pas një rrjedhjeje masive nëpërmjet një dokumenti që qarkulloi në rrjet.

Për kryedemokratin, skandali i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, filloi me patronazhistët.

Ky ishte sistemi, sipas Bashës, që u ndërtua në funksion të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

“Ju e dini se denoncimet tona atëherë përfshinin dhe vjedhjen e të dhënave personale”, u shpreh fillimisht lideri demokrat.

Basha shtoi se deklarata e kryeministrit mbi marrjen e të dhënave si copa-copa, konfirmon denoncimin e selisë blu.

“Skandali i rrjedhjes së të dhënave, është konfirmim i skemës kriminale të krimit elektoral të sistemit të patronazhistëve. Edi Rama e di këtë dhe kjo është arsyeja pse i mbron publikisht ata”, ravijëzoi kryedemokrati.

Numri një i demokratëve theksoi se në një shtet normal “patronazhistët duhet t’i priste ndjekja penale, madje dhe dënimi me burg”.

“Është skandaloze, do të ishte skandaloze edhe po të ndodhte para 12 apo 13 vitesh, kur morëm ftesën për në NATO. Është dyfish skandaloze sot, sa i takon aftësisë së vendit për të mbrojtur të dhënat personale. Është skandaloze, sepse vjen pas një sërë skandalesh që kanë përfshirë këtë qeveri, që në fillimet e qeverisjes”, tha gjatë fjalës së tij Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore