Shqipëria

Basha dorëzon kandidaturën për kryetar të PD-së


Përballë Gjergj Hanit, Lulzim Basha do të jetë kandidati i dytë për kreun e ri të Partisë Demokratike.

Ai ka dorëzuar kandidaturën e tij nëpërmjet një emaili vetëm pak orë para mbylljes së afatit të përcaktuar.

Këtë të martë të 20 qershorit u mblodh Këshilli Kombëtar i PD-së, ku u vendos krijimi i një komisioni zgjedhor prej 8 personash që do të merren me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që pritet të mbahet në 29 korrik për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Flutura Açka, paçka se mbledhja u bojkotua nga 17 deputetë, ka thënë se mbledhja ishte legjitime dhe se duhet të vijohet me zgjedhjen e kryetarit për riorganizimin e partisë.

Që pas 14 majit, Basha ka mbajtur disa takime me të rinjtë duke lënë të kuptohej qëllimi i tij për rikthimin në krye të PD-së.

Në to ai ka thënë se paçka dorëheqjes nga posti i kreut të partisë për të mos thelluar përçarjen, sot partia është në situatë më të keqe sesa në mars të vitit të kaluar.

Ndërkohë, kandidati tjetër Gjergj Hani – ish i përndjekur politik dhe mik me ish kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj – ka qenë i pari që ka dorëzuar kandidaturën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore