Shqipëria

Basha akuzon Metën: Ke qenë nxitësi kryesor i djegies së mandateve, solle Ramën në pushtet


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, këtë të mërkurë të 24 prillit i është përgjigjur deklaratave të Ilir Metës, i cili e ka akuzuar vazhdimisht si përgjegjës për djegien e mandateve në 2019.

Për Bashën, vetë Ilir Meta ka qenë nxitësi kryesor i djegieve të mandateve.

Ai e akuzoi kreun e Partisë së Lirisë “si pazarxhi që ka mbajtur Ramën në pushtet”, ndërsa tha se s’ka më asnjë bashkëpunim me Metën.

Këtë të fundit e këshilloi që të zgjidhë problemet me drejtësinë.

“Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, disa si Meta hedhin gurin fshehin dorën, këtë bëri pas 12 janarit, pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër. Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës”.

“Është faktori kryesor për ardhjen e tij në pushtet dhe mbajtjen në pushtet. Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik. Me metën dhe LSI s’ka për të pasur më asnjë marrëdhënie politike, është një pazarxhi kronik, që problemet si ka më me PD dhe shqiptarët, por i ka aty ku i ka dhe të përballet me problemet që ka”.

Nga ana tjetër Basha tha se forca e djathtë politike është gati të dorëzojë në Kuvend disa amendamente, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Por, para së gjithash, gjatë një konference për shtyp, ai ka folur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, ku evidentohen disa problematika serioze sa i takon gjyqësorit dhe korrupsionit në vend.

“Raporti i DASH i cili konfirmon atë që shqiptarët e dinë dhe prekin çdo ditë, që korrupsioni është problemi më i madh kësaj qeverie dhe vendit. Kjo lidhet me krizën ekonomike dhe koston e jetesës”, theksoi fillimisht Basha.

Më tej, ai shtoi se korrupsioni ushqehet çdo ditë nga qeveria e Edi Ramës përmes skemave që sa vijnë e sofistikohen.

Ndaj, në këto kushte, sipas Bashës, prioriteti i vërtetë kombëtar është lufta kundër korrupsionit.

“SPAK lindi si nevojë për të luftuar nivelin gjigand të korrupsionit.
Ndaj përsëris thirrjen për çdo faktor politik, të forcojmë një fron të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi”, theksoi.

Ai po ashtu vlerësoi punën e zhvilluar nga Organizatat Jo-Qeveritare dhe i bëri thirrje atyre dhe donatorëve të huaj, që të mos i rreshtin përpjekjet.

Në mbyllje, e ravijëzoi se PD-ja ka gati amendamentet për të mbështetur punën e SPAK-ut dhe do t’i dorëzojë ato së shpejti në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore