Sport

Barcelona refuzon Dybala-n, për Xavi-n ai është i mbivlerësuar


Dybala nuk rinovoi kontratën me Juventus-in, andaj në verë ai do të jetë një futbollist i lirë.

Barcelona kishte shprehur interesim më herët për sulmuesin argjentinas, andaj në bazë të situatës së krijuar, flitej se ai do të bashkohej me katalanasit gjatë verës me parametra zero.

Mirëpo, këto zëra përgënjeshtrohen nga gazeta spanjolle “El Nacional”, pasi sipas tyre, trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, nuk e dëshiron Dybala-n.

Sipas mediumit spanjoll, Paolo konsiderohet një futbollist i mbivlerësuar nga legjenda Xavi dhe që nuk funksionon për projektin e tij taktik.

Një qëndrim ky që pavarësisht marrëdhënieve të mira të lojtarit me presidentin Laporta, në fakt i mbyllin përfundimisht dyert e Barcelonës Dybala-s, të cilit në Spanjë në këtë pikë i mbetet të shpresojë vetëm te Atletico e Madrid-i.

Kjo pasi edhe Reali i Madrid-i, nuk ka shfaqur asnjë interes për sulmuesin, duke qëndruar indiferent ndaj deklaratave të agjentit të futbollistit.

Sa i përket ligës italiane, për argjentinasin mbetet ende e hapur mundësia e kalimit tek Inter-i.

Mirëpo të gjitha diskutimet me zikaltrit janë shtyrë për në fund të sezonit dhe mbeten në varësi të shitjeve që do të bëjë drejtori i Itnter-it, Beppe Marota.

Ndërsa në Premier Leauge, interesim për Dybala-n kanë shfaqur Arsenal-i dhe Tottenham-i, në rast se ai dëshiron një lëvizje drejt futbollit anglez.

Kujtojmë që Paolo Dybala është pjesë e skuadrës së Juventus-it që nga vera e vitit 2015, kur u transferua nga Palermo për shumën e 41 milionë eurove.

Ai në total ka zhvilluar 283 ndeshje me fanellën bardhezi, prej të cilave ka shënuar 113 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore