Sport

Barcelona dëshiron transferimin e Cavani-t në janar


Drejtuesit e klubit të Barcelonës, kanë vënë në shënjestër sulmuesin e Manchester United, Edinson Cavani-n.

Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, transferimi i Cavani-t në janar, është objektivi kryesor i skuadrës katalanase.

Kjo urgjencë vjen pas lëndimit të sulmuesit, Sergio Aguero, i cili pritet të mungojë për një kohë të gjatë për shkak të aritmisë në zemër.

Nga ana tjetër, edhe futbollisti uruguaian ndoshta do të mirëpriste një transferim në Barcelonë, pasi që me ardhjen e Cristiano Ronaldo-s në Manchester, ai po ka më pak minuta në fushë.

Gjithashtu skadimi i kontratës së Cavani-t në fund të këtij sezoni, do ta bënte më të lehtë një lëvizje të tillë, pasi që vështirë se 34-vjeçari do të vazhdojë bashkëpunimin me “djajtë e kuq”.

Por, për tu transferuar në “Camp Nou”, Cavani duhet të pranojë një ulje të pagës, pasi që klubi i Barcelonës gjendet në një krizë të thellë financiare.

Kujtojmë që Cavani u transferua në Angli, nga skuadra e Paris Saint Germain me parametra zero, në verën e vitit të kaluar.

Ai ka regjistruar gjithsej 47 paraqitje me klubin anglez, prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës në 18 raste.

Sulmuesi uruguaian, shumicën e karrierës së tij e kaloi në Paris, ku luajti për shtatë sezone, duke shënuar 200 gola në 301 ndeshje me skuadrën e PSG-së.

Derisa hovin e karrierës së tij, ai e mori te skuadra e Napolit, ku ishte pjesë e tyre për gjatë tre sezoneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore