Lajme

Balona e dytë mbi Amerikën Latine pranohet nga Kina


Qeveria kineze ka pranuar se një balonë e vërejtur mbi Amerikën Latine të premten e 3 shkurtit është nga Kina.

Por qeveria kineze ka pretenduar se ajo është për përdorim civil.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, ka thënë se avioni kishte devijuar nga rruga e tij.

Sakaq, një balonë e ngjashme u rrëzua në hapësirën ajrore të SHBA-ve nga avionët ushtarakë të shtunën mes akuzave se po përdorej për vëzhgim.

Mirëpo, Kina i ka mohuar akuzat për spiunazh, duke thënë se po monitoronte motin.

Incidenti ka çuar në një grindje diplomatike midis Washington-it dhe Pekinit.

Përpara se avionët luftarakë të rrëzonin balonën në fundjavë, zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë thënë se një balonë e dytë kineze ishte parë mbi Amerikën Latine.

Kina ka pranuar më herët se një avion kishte “hyrë aksidentalisht në hapësirën ajrore të Amerikës Latine dhe Karaibeve”.

Mao ka treguar se balona e dytë kishte “devijuar shumë” nga rruga e synuar, duke përmendur “manovrimin e kufizuar” të avionit dhe kushtet e motit.

“Kina është një vend përgjegjës dhe ka respektuar gjithmonë në mënyrë rigoroze të drejtën ndërkombëtare në mënyrë që të informojë dhe të trajtojë siç duhet të gjitha palët e interesuara, pa paraqitur asnjë kërcënim për asnjë vend”.

Në fundjavë, forcat ajrore të Kolumbisë kanë thënë se një objekt me “karakteristika të ngjashme me ato të një balone” ishte zbuluar më 3 shkurt në hapësirën ajrore të vendit.

Dhe se objekti u ndoq derisa u largua nga hapësira ajrore, duke shtuar se nuk përfaqësonte një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, puna e zhytësve të marinës amerikane vazhdon për të rikuperuar rrënojat e balonës së vëzhgimit që u rrëzua në brigjet e Karolinës së Jugut të shtunën.

Shtetet e Bashkuara besojnë se balona po përdorej për të monitoruar vendet e ndjeshme ushtarake.

Ndërkaq, marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-ve janë tensionuar nga incidenti, me Pentagonin që e quajti atë një “shkelje të papranueshme” të sovranitetit.

Një udhëtim i planifikuar i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kinë u anulua si rezultat i grindjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore