Shqipëria

Balluku shpjegon defektet e energjisë elektrike


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, dhe Drejtori OST, Skerdi Drenova kanë dhënë detaje sa i takon situatës me linjat e transmetimit të energjisë elektrike, në të gjithë territorin e vendit.

Ata njoftojnë që ka pasur dy defekte të rënda: një linjën 400 që vinte nga Komani në drejtim të Tiranës dhe në një linjë tjetër 220-she, nga Fierza në drejtim të Tiranës.

Në mes të natës, dy ekipet e Burrelit kanë qenë në majë të maleve duke lokalizuar problemin, i cili u zgjidh sot në mëngjes në linjën 400-she. Gjithashtu në majë të bjeshkëve ishin dhe ekipet e grupeve të Fierzës.

Gjithashtu, Drenova njofton se temperaturat në veri do të shkojnë deri në -15 gradë dhe -17 gradë.

Në këtë periudhë, Shqipëria ka arritur të prodhojë dhe të eksportojë deri në 800 MegaVat (MV) energji elektrike.

Balluku: Shteti në këmbë, të gjitha akset e kalueshme

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar nga aksi Tiranë-Elbasan, të dielën në një deklaratë për media, se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme ndërsa disa prej tyre kërkojnë përdorim të zinxhirëve ose të gomave të dimrit.

Ajo njofton që është ndaluar qarkullimin e automjeteve me tonazhe të rënda nga e diela në orën 8 të mbrëmjes deri të hënën paradite në orën 8. Kjo sepse, ato automjete kanë qenë arsyeja kryesore e bllokimit të akseve kryesore.

Balluku ka treguar dhe arsyen e bllokimit të rrugës Lezhe- Milot, ku sipas saj, arsyeja e bllokimit ka qenë shikueshmëria e ulët e drejtuesve të mjetit si shkak i stuhisë së dendur të reshjeve.

“Ne nuk kemi shkopin magjik të ndalojmë stuhinë”, shprehet Balluku.

Ajo ka theksuar dhe punën e institucioneve duke u shprehur se “shteti ka qenë në këmbë”.

Qindra mijëra punonjës të akseve rrugore, të shpërndarjes së energjisë, OSHE-së si dhe të transmetimit, OST-së, kanë qenë në krye të detyrës, që nga momentet e para të kësaj stuhie”, shprehet Balluku.

Gjithashtu ajo ju është përgjigjur dhe akuzave që opozita i ka bërë qeverisë. Balluku shprehet se situata e rënduar në aksin Lezhë- Milot është kthyer në qendër të debatit politik por sipas saj “nuk është koha për të bërë politikë”.

Balluku u ka bërë thirrje qytetarëve të ndjekin këshillat e Policisë së Shtetit dhe të mos përdorin akset kur nuk është e nevojshme. Gjithashtu të përdorin gomat e dimrit ose zinxhirët gjatë qarkullimit.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar gjithashtu se ka pasur problematika në zonën e Librazhdit sepse makinat nuk përdorën zinxhirë.

“Miloti dje ishte në një situatë krejtësisht jo normale, por të gjitha firmat kanë qenë prezent. Me strukturat e ARRSH-ës u bë i mundur lëvizja e mjeteve që kishin bllokuar rrugën në Milot.

Ndërsa Balluku u shpreh se deri ditën e premte, “nuk do jetë situatë normale” sepse temperaturat do të zbresin.  Ajo njoftoi që Qeveria po përgatit një plan për përballimin e situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore