Shqipëria

Balluku: Shqipëria do të jetë eksportues neto i energjisë në rajon brenda 2029-ës


Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se në vitin 2029 pritet që Shqipëria të jetë eksportuesi neto për të gjithë rajonin përsa i përket furnizimit me energji elektrike.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së numrit dy të Qeverisë në forumin Ekonomik, Klima e Biznesit.

“Në vitin 2029, Shqipëria do të jetë eksportuesi neto i energjisë për të gjithë rajonin, duke na vendosur kështu në një pozicion tjetër. Jemi totalisht në varësi të motit. Është kënaqësi që kemi këto ditë me shi. Në mëngjes zgjohemi me njoftimin se sa ka shkuar niveli në basenin e Fierzës, por ne nuk mund të vazhdojmë përgjithmonë”, u shpreh fillimisht Balluku.

Sipas saj, një vend, i cili kërkon të zhvillohet nga ana industriale dhe ekonomike nuk mund të qëndrojë në varësi të shiut.

“Rritja e kapaciteteve ka qenë dhe do të jetë një prioritet i yni duke e kthyer këtë vend në një nga eksportuesit neto për të gjithë rajonin”, garantoi ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi më herët se për të fituar pavarësinë dhe maksimumin energjetik nga uji duhet Hidrocentrali i Skavicës.

“Është e rëndësishme që të fitohet pavarësia e plotë energjetike dhe ne do ta fitojmë pavarësinë energjetike, ne jemi në atë rrugë sepse kemi tre komponentë. I pari komponent që na pengon ne që nga uji të marrim maksimumin është mungesa e Skavicës që na bën që në infrastrukturën më të madhe të vendit lart në kaskadën e Drinit ne të mos marrim dot maksimumin sepse kur ka shumë reshje dhe prurje ne duhet ta derdhim sepse s’kemi ku e rezervojmë”, u shpreh fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, Skavica do të jetë rezerva e kaskadës, pra ujin e tepërt e lë atje dhe e ke kur të duhet.

“Skavica do të na bëjë një kompensim të madh në këtë pikë”, shtoi kryeministri.

Ai përmendi edhe dy parqet e mëdha fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë dhe teknologjinë e erës, si ankandi i Ibrit mes komponentëve të tjerë.

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për HEC-in e Skavicës.

Projekti vlerësohet të kushtojë rreth gjysmë miliardë euro gjatë pesë viteve të ndërtimit.

Ai synon ta bëjë sistemin hidroenergjetik të Shqipërisë më pak të varur nga moti.

Puna përgatitore për atë që do të jetë projekti më i madh i ndërtimit në Shqipëri që nga rënia e komunizmit në 1991, vjen ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor – krahas Evropës dhe Perëndimit – përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga importet e gazit rus.

Diga është parashikuar të rrisë prodhimin vendas të energjisë së Shqipërisë me 20 për qind, me shpresën se do ta transformojë vendin në një eksportues të energjisë së pastër.

Bechtel, kompania më e madhe e ndërtimit në SHBA, është punësuar nga Qeveria shqiptare për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën, e cila do të jetë në pronësi publike.

Kompania me bazë në Virxhinia ishte njëra nga një konsorcium kompanish që ndërtuan Digën Hoover në vitet 1930 në kufirin midis Nevadës dhe Arizonës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore