Shqipëria

Balluku kremton fillimin e punimeve të fotovoltaikut më të madh në Ballkan


Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë në Shqipëri, Belinda Balluku ka kremtuar fillimin e punimeve për parkun më të madh fotovoltaik në Ballkan.

Përmes një statusi në median sociale Twitter, zyrtarja ka deklaruar se puna e mundimshme shpërblehet.

Kjo, mes pandemisë, krizës energjetike dhe çdo sfide në mes.

“Më në fund kemi ngritur terrenin në Karavasta për të ndërtuar parkun më të madh PV në Ballkan”, shkruan Balluku.

Sipas saj, ky është një moment historik për Shqipërinë, i cili do të ndahet me partnerin Voltalia.

Në inaugurimin e punimeve, të premten e 1 korrikut, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Kapaciteti i parkut fotovoltaik do të jetë prej 140 megawatt/orë dhe kjo do të realizohet falë klimës në Shqipëri dhe veçanërisht në lagunën e Karavastasë.

Aty dielli është jo vetëm i pranishëm shumicën e vitit, por edhe me një rrezatim shumë të lartë e optimal.

Janë 196 hektarë, të cilët do të kthehen në fushë prodhimi të energjisë diellore, duke prodhuar thuajse 260 gigawatt energji elektrike në vit.

Një pjesë të kësaj energjie, do ta marrë edhe shteti shqiptar në përdorim, si pjesë e marrëveshjes me kompaninë e kontraktuar për ndërtimin e parkut, Voltalia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore