Shqipëria

Balla: Krijohet regjistri i adresave, çdo banesë me kod unik


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka bërë me dije se Qeveria ka miratuar ndryshimet ligjore në sistemin e adresave në Shqipëri.

Balla, në mbyllje të mbledhjes së Qeverisë, ka bërë me dije se këto ndryshime i referohen krijimit të një regjistri unik të adresave në vendin tonë.

“Një prej vendimeve të Këshillit të Ministrave të sotëm lidhen me ndryshimin e ligjit të sistemin e adresave në Shqipëri. Bëhet fjalë për krijimin më në fund të një regjistri unik të adresave në Shqipëri”, ka thënë ai.

Përmes këtij regjistri unik, sipas ministrit, çdo banesë do të ketë numrin unik të vet.

“Çdo banesë, ndërtesë, do të ketë kod unik të pareplikueshëm në bashki të ndryshme”, ka bërë me dije Balla.

“Pas miratimit të këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore që do të shoqërojnë këtë paketë, do të kemi një regjistër unik, tek i cili do të referohen të gjitha institucionet. Ndërsa deri tani kemi patur regjistra ankesash në institucione të ndryshme, një te kadastra, një te OSHEE, një tek një institucion tjetër, tashmë do të kemi një regjistër adresash tek Ministria e Brendshme”, ka shtuar Balla.

Ky regjistër, sipas tij, do t’i japë zgjidhje problematikave që lidhen me shërbimet ndaj qytetarëve, me lehtësimin e mbërritjes në adresë, jo vetëm të shërbimit postar, por edhe sa i përket turistëve.

“Përmes këtij kodi unik të banesës, hotelit, të jetë lehtësisht i arritshëm. Do të ftoja qytetarët që ta frekuentojnë që tani, adresari.mb.gov.al. Është mundësi për çdo qytetar për të gjetur një adresë. Çdo familje shqiptare, apartamentin do ta ketë me një kod unik. Është një arritje e rëndësishme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore