Shqipëria

Balla kërkesë Kuvendit që tullumbacja me azot të hyjë në listën e lëndëve psikotrope


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka kërkuar nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë përcaktimin e lëndëve në formë gazi, të llojit N20, si lëndë narkotike dhe psikotrope.

“Në bazë të raportimeve dhe të dhënave më të fundit nga operacionet e Policisë së Shtetit, konstatohet shqetësimi lidhur me përdorimin nga të rinjtë të lëndëve në formë gazi, të llojit N20 (azot, dyoksid azoti), të cilat, sipas ekspertëve të mjekësisë, sjellin probleme shëndetësore, përfshirë të natyrës neurologjike”, ka bërë me dije ministri.

Sipas tij, në shumë raste, Policia e Shtetit ka realizuar sekuestrime të bombolave të dyshuara të mbushura me këtë lloj gazi, për të shmangur përdorimin e paautorizuar të tyre me qëllime përfitimi.

“Duke qenë se këto lëndë nuk klasifikohen aktualisht si lëndë narkotike apo psikotrope të ndaluara, sipas legjislacionit në fuqi, lind nevoja emergjente për përfshirjen e tyre në listën përkatëse që i bashkëlidhet ligjit nr. 7975 datë 26.7.1995 ‘Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope’, i ndryshuar”, ka theksuar Balla.

Po ashtu ai ka shtuar se krahas gazit N2O, duhet të merret në konsideratë edhe përfshirja në listën e lëndëve narkotikeve apo psikotrope të ndaluara edhe të të gjitha substancave të reja narkotike, të identifikuara dhe propozuara, në kohë të ndryshme, nga Instituti i Policisë Shkencore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore