Shqipëria

Balla: Gati për Konferencën Ndërqeveritare, presim RMV-në


Kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, deklaroi se përgatitjet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare kanë përfunduar.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me deputetin gjerman Adis Ahmetoviç.

“Në Këshillin Evropian përgatitjet janë gati për të hënën dhe të martën që të mbahet konferenca”, u shpreh fillimisht Balla.

Kjo, me shpresë që brenda javës autoritetet maqedonase të “kenë përmbushur një prej detyrave të shtëpisë të planit francez”.

“Thirrja ime është që ky parakusht të plotësohet. Gjithmonë ne shqiptarët kemi një fjalë që shpresa vdes e fundit”, shtoi përfaqësuesi socialist.

Sipas tij, jetojmë në një moment të vështirë në Evropë dhe ky kontekst i ri kërkon vendimmarrje të rëndësishme.

“Ne nuk duam as veto dhe as të pengojmë anëtarësimin e vendeve të tjera , por siç vepruam unison me sanksione kundër Rusisë kështu duhet të veprojmë edhe për këtë proces”, ravijëzoi Balla.

Në përmbyllje kreu i grupit socialist, deklaroi se Kosova së bashku me Bosnjë dhe Hercegovinën duhet të marrin gjithashtu statusin e vendit kandidat.

Balla e konfirmoi fillimisht nga foltorja e Kuvendit mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në BE, që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha Balla.

Ai theksoi se dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme është fakt.

Këtë fakt e paralajmëroi më 26 qershor Albanian Post, duke cituar një burim diplomatik ndërkombëtar.

“Ka një mundësi por është zbehur, pasi maqedonasit duan t’i bëjnë një amendim të vogël propozimit francez”, sqaronte zyrtari ndërkombëtar në kushte anonimiteti për AP-në.

Sipas burimit, nëse Bullgaria e pranonte ajo do të miratohej në margjinat e Samitit të Nato-s në Madrid.

“Nëse Bullgaria nuk e pranon, RMV-ja do e refuzojë, pra do jetë Maqedonia e Veriut ajo që nuk do pajtohet me propozimin”, ravijëzonte në përmbyllje zyrtari ndërkombëtar i cili ishte pjesëmarrës në samit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore