Muzikë

Baleti është Jeta – intervistë me balerinën Aulonë Nuhiu


Balerina dhe profesorja e baletit, Aulonë Nuhiu

Trupa e Baletit të Kosovës ka shfaqur premierën e parë për këtë vit të titulluar ”Entre Dos Aguas & Troy Game”, prezantuar në skenën e Teatrit Kombëtar nën idenë e koreografit të shquar me renome ndërkombëtare, Robert North, dhe të realizuar me ndihmën e asistentëve, Lale Ballkan dhe Julian Moss.

”Entre Dos Aguas & Troy Game”

Shfaqja e ndarë në dy pjesë me karaktere të ndryshme, përfshiu një trupë baleti prej 21 balerinëve, të cilët me anë të punës kolosale dhe talentit të tyre arritën të shfaqin konceptet kontraste mes pjesëve.

“Entre Dos Aguas” – ishte pjesa hyrëse e shfaqjes që ngërthen një anë estetike me elemente spanjolle, me muzikë të veçantë instrumentale të llojit “Flamenco Rumba”, të kitaristit të njohur të këtij zhanri muzikor Paco de Lucía dhe Simon Rodgers.

Ndërsa, pjesa e dytë, e cila e përmbylli shfaqjen, ishte “Troy Game” –  një tabo më perkusive, gërshetuar me nuanca të muzikës moderne të legjendës angleze, kompozitorit dhe saksofonistit, Bob Downes.

Albanian Post ka realizuar intervistë me Aulonë Nuhiun, njërën ndër balerinat e Trupës së Baletit të Kosovës, e cila, mes tjerash, rrëfeu detaje mbi pasionin e saj për baletin.

Aulonë Nuhiu – Balerinë

Ajo thotë se “dashuria për artin e baletit ka ekzistuar pothuajse gjithmonë”, prandaj edhe kishte vendosur që këtë dashuri ndaj artit ta ushqente duke përfunduar shkollën e mesme të muzikës dhe baletit.

Nuhiu, e cila numëron mbi 12 vjet që kur është bërë pjesë e rrugëtimit artistik të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka marrë pjesë në hiç më pak se 40 premiera të baletit klasik dhe atij modern.

“Jam pjesë e BKK-së që nga viti 2009, dhe kam qenë pjesë e mbi 40 premierave të baletit. Aktiviteti im kushtuar baletit nuk mbaron me kaq, pasi që unë jam po ashtu pjesë e Shkollës së Muzikës dhe Baletit – ‘Melody’, ku jap mësim për balet klasik dhe modern”, tregon Nuhiu për Albanian Post.

Ashtu si edhe në sferat e tjera, periudha e pandemisë me COVID-19, vështirësi ka krijuar edhe për balerinët, provat dhe përgatitjet e tyre për shfaqjen premierë, që filluan një muaj më parë.

Balerina Aulonë Nuhiu, gjatë provave për shfaqje të baletit

“Në këto kohë pandemie, nuk ka qenë fare e lehtë të mbahen ushtrimet dhe provat për premierën e shfaqjes, ‘Entre Dos Aguas & Troy Game’. Por, ne si balerinë jemi munduar në maksimum që të jemi të kujdesshëm në mbajtjen e maskave gjatë të gjitha provave”, ka shtuar ajo.

Por, hasja në vështirësi të mbajtjes së provave për shfaqjen, nuk ishte problemi i vetëm që Coronavirusi iu kishte sjellë kësaj trupe baleti.

Për dallim nga vitet, kur COVID-19 nuk eksitonte dhe sallat ishin të mbushura me publik që i duartrokiste përformancave të balerinëve, teksa ata shfaqnin artin e tyre përmes lëvizjeve artistike në skenë, premiera e shfaqjes “”Entre Dos Aguas & Troy Game”, u prezantua para një publiku të reduktuar.

“Jemi mësuar që çdo premierë ta kemi sallën e mbushur me publik. Ka pasur rast kur kemi vendosur ulëse të posaçme për t’i bërë vend njerëzve që vinin t’i ndiqnin shfaqjet tona. Për shkak të pandemisë, gjatë vitit të kaluar por edhe premierës së fundit, publiku ishte i reduktuar, por kjo asnjëherë nuk ka ndalur që ne të japim maksimumin tonë”, thotë balerina, Aulonë Nuhiu.

Gjithsesi, Nuhiu, thotë të jetë e lumtur për premierën e shfaqjes së parë për këtë vit, e sidomos për bashkëpunimin me koreografin, Robert North.

“Fatmirësisht premiera u dha me shumë sukses dhe publiku e pranoi mjaft mirë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për bashkëpunimin me njërin ndër koreografët më të njohur në botë, Robert North”, thotë ajo.

Balerina profesioniste, Aulonë Nuhiu, zotohet të punojë drejt arritjeve të mëtutjeshme në fushën e baletit, ndërsa shpreson që udhëtimet dhe performancat jashtë vendit të realizohen edhe gjatë këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore