Lajme

Bajrami: Ka propagandë, s’ka luftë kundër korrupsionit


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023, ka thënë se për luftën ndaj korrupsionet nga pushteti – Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm propagandë.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se vlerësimi në këtë drejtim ka qenë i njejtë me atë të 2022-ës.

“Sipas këtij raporti 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐥𝐞𝐫𝐞̈𝐬𝐮𝐚𝐫 𝐦𝐞 𝟒𝟏 𝐩𝐢𝐤𝐞̈, po aq sa ishte vlerësuar edhe në vitin 2022. Kosova vendin e 83-të në ranglistën botërore e ndan me Burkina Fason, Afrikën e Jugut dhe Vietnamin. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është pas Malit të Zi që renditet në vendin e 63,  dhe pas Maqedonisë së Veriut që rënditet në vendin 76”.

“Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupsionit!”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami, tutje është shprehur se mbi 2 mijë kontrata janë realizuar pa publik të tenderit.

“Nuk ka si me pas vlerësim ndryshe kur në raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian (fq. 71-72) thuhet se vetëm në vitin e fundit janë lidhë 2140 kontrata pa publikim të tenderit dmth. me negocim të drejtëpërdrejtë/njëburimore”.

Kosova nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare Transparency International (TI) për vitin 2023, derisa vendi i vogël ballkanik është radhitur në pozitën e 83-të në mesin e 180 vendeve që analizohen në raportin e përvjetshëm të kësaj organizate.

Për vlerësimin e 180 vendeve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. E gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, pra mbetet e njëjtë sikurse në vitin paraprak.

TI shpreh shqetësimin për mungesën e përparimit, duke thënë se lufta kundër korrupsionit ende nuk është në lartësinë e përparimit demokratik që shënoi Kosova në drejtim të zgjedhjeve të lira, derisa ngritet veçanërisht shqetësimi për ndërhyrjen e pushtetit në sistemin e drejtësisë kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore