Lajme

Babai i Gjokoviç-it me fjalë të mëdha për Abazoviç-in: Ai është djali im, ia ktheu pronën Kishës Serbe


Foto: Albanian Post

Srdan Gjokoviç – babai i tenistit serb Novak Gkokoviç – ka thënë se derisa të jetë gjallë, Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, do jetë “djali dhe vëllai im”.

Këto komente ai i bëri gjatë një ceremonie që u mbajt në Shtëpinë e Malit të Zi në Beograd, ku Abazoviç u ndau një certifikatë falënderimi “përfaqësuesve të shquar” të diasporës malazeze dhe emigrantëve për “kontributin e tyre në promovimin e Malit të Zi dhe forcimin e lidhjeve me Serbinë.

“Nuk mund të mos shpreh kënaqësinë dhe lumturinë time që jam në këtë shtëpi këtu. Për mua e njëjta shtëpi ku kam lindur në Mitrovicë të Zveçanit është Beogradi im dhe të njëjtën gjë e ndjej edhe për Malin e Zi”, ka thënë ai.

Babai i tenistit serb Gjokoviç – i cili vazhdon të flasë me urrejtje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës – ka thënë se i detyrohet Abazoviç-it me një “mirënjohje të pamasë”.

“Fakti që ai ia ktheu pronën Kishës Ortodokse Serbe është krenari dhe gëzim për familjen e tij. Ai është gjithashtu pjesë e familjes sime”, theksoi Gjokoviç, duke iu referuar vendimit të Abazoviç-it për Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi, vendim ky që i kishte kushtuar me shkarkim nga pozita e kryeministrit.

Foto: Qeveria e Malit te Zi

Nga ana tjetër Abazoviç ka thënë se është nder dhe “krenari e pamës” për të që po i ndan këto çmime.

“Ky është vetëm fillimi i marrëdhënies së shtetit që duhet të ndryshojë ndaj qytetarëve. Për kontributin në sfera të ndryshme që keni arritur në shtetin e Serbisë, fqinjit tonë më të afërt dhe më të dashur, në vendin me të cilin kemi marrëdhënie dhe lidhje të veçanta, si dhe në dëshirën për t’i bashkuar ato me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të bota”, pohoi Abazoviç.

Ai falënderoi të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë kufijve të Malit të Zi, sepse, siç theksoi ai, tregojnë vazhdimisht se cila është madhësia e tij e vërtetë – “shumë më e madhe se numri i banorëve apo sipërfaqja e territorit të tij”.

“Misioni i të gjitha tubimeve është që të jemi njerëz më të mirë, të jemi më afër njëri-tjetrit, sepse pa njëri-tjetrin jemi të pavlerë dhe me njëri-tjetrin mund të bëjmë shumë gjëra të mira”, potencoi ai.

Dritan Abazoviç dhe Novak Gjokoviç, foto nga Albanian Post

Tenisti serb – Novak Gjokoviç – vazhdon të flasë me urrejtje tmerruese kundër shqiptarëve, specifikisht atyre të Kosovës. Ai shpesh ka përkrahur publikisht thirrjet nacionaliste dhe fashiste serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Tenisti serb kishte shkruar “Kosova është zemra e Serbisë” në turneun e mbajtur në “Stade Roland Garros” në fund të majit në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore