Lajme

Azovët mund të shkëmbehen me të burgosur lufte


Një opsion jo shumë i mundshëm, por i propozuar.

Ushtarët azovë të mbetur në uzinën e përpunimit të çelikut, Azovstal, mund të shkëmbehen me të burgosur të luftës.

Ky është propozimi i palës ukrainase, pas një analizimi të çështjes dhe këqyrjes së rrethanave në të cilat luftëtarët rezistentë ndodhen.

Propozimi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, e cila ka postuar në rrjetin e saj Telegram.

Disa opsione janë marrë parasysh sipas saj, por kjo e shkëmbimit me të burgosurit rusë të luftës, duket se mund të jetë më e frytshmja dhe më e logjikshmja, në rastin e zhvillimit të bisedimeve për këtë çështje.

Trupat që ndodhen brenda Azovstalit, kanë këmbëngulur se duan të vijojnë qëndresën e tyre pavarësisht gjithçkaje. Dorëzimin tek pala ruse, ata nuk e shohin si një opsion të mundshëm. Madje e cilësojnë si “vdekja vetë”.

Për t’u parë mbetet përgjigja e palës ruse mbi këtë propozim ukrainas dhe nëse Kremlinit do t’i interesojë shkëmbimi i përfolur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore