Lajme

Avokati serb: Radojiçiç s’është objektivi kryesor i INTERPOL-it, sepse s’e ka organizuar vetë sulmin në Banjë


Bozho Preleviç

Avokati serb, Bozho Preleviç, ka thënë se autoritetet në Beograd të udhëhequra nga Aleksandër Vuçiç, nuk duhet që ta arrestojnë kryekriminelin Milan Radojiçiç, sepse, sic thotë avokati, ai nuk e ka organizuar vetë sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

Duke komentuar lëshimin e urdhër-arrestit të INTERPOL-it kundër Radojiçiç-it, bashkëpunëtorit të afërt të presidentit serb Vuçiç, Preleviç ka theksuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – mund të jetë një dëshmitar i papërshtatshëm për pushtetin aktual në Serbi.

Në vlerësimin e tij, për Serbinë do të ishte problem të mosvepronte me urdhër të ITERPOL-it në momentin “kur dihet se kush po e mbron Radoijçiç-in në Serbi”.

“Milan Radojiçiç mbrohet dhe ruhet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Autoritetet në mënyrë të ngathët dhe të dëmshme për këtë vend u përpoqën të mbroheshin nga ngjarjet në Banjë duke nisur procedurën kundër Radojiçi-it dhe duke e liruar menjëherë”.

“Shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për ngjarjet tragjike në Banjë, sepse Radojiçiç sigurisht që nuk ka mundur të blejë një sasi të madhe armatimi, pajisje ushtarake, madje edhe një automjet luftarak. Radojiçiç-it nuk i ka shkuar në mendje që për hir të tij të organizojë një rebelim në Veri të Kosovës”, deklaroi Preleviç për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Sipas tij, Radojiçiç nuk është objektiv kryesor i INTERPOL-it.

“Autoritetet në Serbi gjithashtu e dinë se Radojiçiç nuk është objektivi kryesor i INTERPOL-it, por ai mund të tregojë objektivin e duhur. Për këtë arsye në Beograd nuk po zhvillohet asnjë hetim lidhur me Banjën. Nëse prokuroria do të bënte punën e saj, do të përfundonte dëmin kolosal që iu bë interesave serbe në Banjë”.

Banja, thekson ai, “është pika e kthesës pas së cilës nuk ka më rezistencë në Veri të Kosovës”.

Tutje, avokati serb ka potencuar se urdhër-arresti i INTERPOL-it ka edhe një konotacion politik.

“Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244, është e vështirë të kuptohet bashkëpunimi i Serbisë përmes Interpolit me territorin e saj në Kosovë, sepse mund të mbështesë njohjen eksplicite të pavarësisë së Kosovës”, shtoi ai.

“Në anën tjetër, të gjithë deputetët e Listës Serbe u betuan në parlamentin e Kosovës se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kështu që para Interpolit integriteti territorial i Serbisë ishte cenuar në mënyrë drastike nga përfaqësuesit e Listës Serbe. Nga pikëpamja politike, veprimi sipas kërkesës së Interpolit do të ishte një pranim nga shteti i Serbisë se Kushtetuta e tij nuk vlen në këtë rast”, potencoi avokati.

Ai beson se autoritetet në Beograd as nuk do ta arrestojnë dhe as nuk do ta dorëzojnë Radojiçiç-in tek autoritetet kosovare dhe se Serbia do të përballet me pasoja të rënda për këtë.

“Nuk mund të flitet për një vend me shtet ligjor në rast të mosrespektimit të urdhëresave të Interpolit. Nuk bëhet fjalë vetëm për arrestimin dhe ekstradimin e mundshëm të Radojiçiç-it, por edhe pse procedura kundër tij nuk zhvillohet në Beograd”.

“Një qëndrim i tillë i pushtetit aktual dërgon mesazh se është e mundur të krijohet një grup i armatosur në Serbi, i cili do të bëjë që shumë njerëz të vdesin dhe të plagosen dhe se kjo nuk do të thotë asgjë për qeverinë. Mosveprimi i prokurorisë në rastin e Banjës tregon se nuk ka qenë ide e Radojiçiç-it”, tha ndër të tjera Preleviç.

Sulmi terrorist në Banjë, INTERPOL-i lëshon urdhër-arrest për Radojiçiç-in dhe 11 persona të tjerë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore