Kosova

Avokati i të miturës që u aksidentua nga Hajdari: Ministrja e ndryshoi deklaratën e saj


Avokati Florim Shefqeti.

Ka përfunduar seanca e tretë me radhë, që është mbajtur me dyer të mbyllura, ndaj Minsitres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajadari, për rastin e aksidentimit të një të miture me veturë.

Sipas avokatit të palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, në këtë seancë ministrja Hajdari ka ndryshuar deklaratën e saj.

“Ne vlerësojmë që në këtë rast janë përmbushur në tërësi elementet e kundërvajtjes. Ajo çka është e rëndësishme është që e pandehura ka bërë ndërrimin e deklaratës në tërësi nga fakti që fillimisht ka deklaruar që ka parë dy fëmijë duke dalë nga marketi, tanimë e ka ndryshuar duke thënë se jo nuk i kam parë dhe që e ka parë vetëm momentin e goditjes së tyre”, ka thënë Shefqeti para mediave.

Avokati ka njoftuar se ka kërkuar nga gjykata që të “mos i falë besimin për shkak se ka kundërthënie”.

“Po ashtu më herët ka deklaruar se moti ka qene me shi, tani e ka bërë ndryshimin e deklaratës dhe së fundi lidhur me deklaratën e saj që ka frenuar, kur e kemi ballafaquar me ekspertizën dhe superekspertizën, ka refuzuar të përgjigjët”, shtoi.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Hajdarit, Alban Makolli, nuk është prononcuar para mediave, duke thënë se seanca ka qenë e mbyllur për publikun.

Ndryshe, sipas super-ekspertizës të cilën e kishte siguruar Albanian Post, thuhej se ministrja Hajdari në bazë të shikimi të vendit të ngjarjes nuk ka mundur ta evitojë aksidentin pasi ishte duke vozitur më shpejt se që duhet.

“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhet në super-ekspertizë.

Po ashtu sipas super-ekspertizës, ministrja Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.

“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Megjithatë, ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike me rastin e realizimit të superekspertizës nuk e kanë bërë ekzaminimin e gjendjes teknike të sistemit të frenimit të veturës së ministres.

Në anën tjetër, Hajdari duke u munduar të shfajësohet, pati dal sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë.

“Fëmija u përplas me makinën time”, pati thënë ajo.

Madje, edhe pa një vendim gjyqësor të formës së prerë, Hajdarit në mbrojtje i kishte dalë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me çka kam kuptuar nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër se ç’duhet”, kishte theksuar Kurti.

Super-ekspertiza e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike: Rozeta Hajdari ishte shumë shpejt, frenoi me vonesë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore