Lajme

Avokati i Popullit: Vendim i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës duhet të rikthehet në pikën zero


Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit, ka reaguar duke thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për përcaktimin e strukturës tarifore ishte diskriminues.

“Vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve. Tarifat e ndryshme e të bazuara në nivel të konsumit të energjisë elektrike janë në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë ku theksohet domosdoshmëria që tarifat të kenë karakter jo diskriminues”, thuhet në reagim.

Ata konsiderojnë se ky vendim duhet të kthehet në pikën zero, ndërsa është thënë se kanë krijuar një situatë të pabarabartë duke përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës.

“Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, shton Avokati i Popullit.

Mitrovica e Veriut.

Sipas tyre, masat afirmatike të vendosura nga ZRRE-ja nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi i saj në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim. Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi.

“Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim selektiv të çmimit të energjisë, për vendosje të bllok tarifave dhe vendimi për subvencionim gjithashtu selektiv bien në kundërshtim me parimet e vendosjes së tarifave të përshkruara në legjislacionin vendor, me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

Ata konsiderojnë që Qeveria e Kosovës duhet të themeloj Fondin e Konsumatorëve në Nevojë.

“Avokati i Popullit e vlerëson të nevojshme që Qeveria e Kosovës të themeloi Fondin e Konsumatorëve në Nevojë”.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Këto borxhe, deri në vitin 2017 u janë faturuar qytetarëve nga viset e tjera të Kosovës.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Apelit, i pati dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe për këtë kompanitë që duhet të mbledhin faturat, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Më 20 janar, ekipi i Albanian Post qëndroi në disa lagje të kësaj komune të enjten paradite. Kamera, filmoi poqët e ndezura para shtëpive në pikë të ditës.

Një ndër arsyet e mos pagesës së faturave të energjisë së konsumuar thonë se është edhe paqartësia se ndaj kujt kanë obligim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore