Lajme

Avioni rus shkeli hapësirën ajrore të Finlandës


Aeroplani i qeverisë ruse IL-96-300 ka shkelur hapësirën ajrore finlandeze në mëngjesin e 8 prillit.

Lajmin e bëri të ditur media vendase “Yle”, e cila citon deklaratën e Ministrisë finlandeze të Mbrojtjes.

Agjencia finlandeze zbuloi se avioni hyri në hapësirën ajrore të vendit mbi Gjirin e Finlandës në zonën Porvoo.

Avioni qëndroi më pas atje për rreth tre minuta.

Ky është rasti i parë i shkeljes së hapësirës ajrore të vendit nga një avion rus që nga korriku i vitit 2020, shkruan “Yle”.

“Finlanda i ka marrë gjithmonë seriozisht shkeljet e hapësirës ajrore. Rojet kufitare po hetojnë incidentin. Ne kemi kapacitete të mjaftueshme për të monitoruar, të gjitha raste të tilla janë zbuluar dhe ne mund t’u përgjigjemi me efektivitet atyre”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Antti Kaikkonen.

Në fillim të marsit, avionët ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore suedeze.

Forcat e armatosura besojnë se shkelja ishte e qëllimshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore