Lajme

Autorja e esesë “Si të vrasësh burrin tënd” dënohet përjetësisht për vrasjen e burrit të saj


Për vrasje shkroi ajo dhe për vrasje do të shkojë tani në burg.

Nancy Crampton Brophy, me profesion shkrimtare, që me sa duket parashikoi krimin e saj në një ese të titulluar “Si të vrasësh burrin tënd”, do të vuajë dënim me burgim të përjetshëm për ekzekutimin me armë zjarri të bashkëshortit të saj të ndjerë.

Vendimi është marrë nga një gjykatës i Oregonit. 71-vjeçarja u shpall fajtore për vrasje të shkallës së dytë muajin e kaluar.

Juria zbuloi se ajo qëlloi bashkëshortin e saj prej 26 vitesh në vitin 2018, për të fituar një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh nga siguracioni i jetës.

Përpara krimit të saj, Crampton Brophy kishte qenë autore e disa romaneve dhe novelave të tilla si “Burri i gabuar” dhe “Dashnori i gabuar”.

Burri i saj i ndjerë, Daniel Brophy, ishte kuzhinier dhe mësues i respektuar në Institutin Kulinar të Oregonit.

Ai u gjet i vrarë me dy plumba, në kuzhinën e Institutit, në qershor të vitit 2018.

E veja e tij u dënua për vrasje, muajin e kaluar.

I ndjeri Daniel Brophy

Rasti mori shumë vëmendje, sepse një ese, të cilën Crampton Brophy e kishte shkruar vite përpara krimit, titullohej “Si të vrasësh burrin tënd”.

“Ajo çka di për vrasjen është se secili prej nesh e ka atë në vete kur shtyhet mjaftueshëm”, kish shkruar ajo.

Më tej rendiste një sërë mënyrash për të kryer vrasjen, nga armët dhe thikat te helmet dhe vrasësit me pagesë përpara se të shkruante “është më e lehtë të urosh vdekjen e njerëzve sesa t’i vrasësh ata në të vërtetë”.

Gjyqtarja e çështjes vendosi kundër pranimit të esesë si provë në gjyqin e saj, sepse ajo ishte shkruar vite më parë si pjesë e një seminari shkrimi.

Por prokurorët nuk kishin nevojë për tekstin.

Ata argumentuan me sukses se Crampton Brophy kishte motivin dhe mjetet për të vrarë partnerin e saj, duke treguar se çifti kishte kaluar në kohë të vështira financiarisht dhe ajo donte të merrte një pagesë të madhe sigurimi pas vdekjes së tij.

Crampton Brophy, në pamjet e vëzhgimit të shfaqura në gjykatë, u pa duke shkuar në Institut dhe, më pas, duke u larguar nga ndërtesa në kohën e krimit.

Duke marrë qëndrimin në mbrojtje të saj, autorja pretendoi se kishte një “humbje kujtese” që nga mëngjesi i vdekjes së Brophy.

Ajo nuk mund ta mohonte as se ishte duke lëvizur nëpër institut.

Një juri prej 12 anëtarësh e shpalli atë fajtore për vrasje të shkallës së dytë pas diskutimit për më pak se dy ditë.

Dënimi i saj i përjetshëm, i dhënë të hënën, mbart mundësinë e lirimit me kusht pas 25 vitesh. Avokatët e saj thanë se planifikojnë të apelojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore