Lajme

Autoriteti Palestinez torturon vazhdimisht të burgosurit, thotë grupi i të drejtave


Një shërbim përkujtimor në Bregun Perëndimor për Nizar Banat, një kritik i hapur i Autoritetit Palestinez i cili vdiq ndërsa ishte në paraburgim në qershor 2021. ©: Nasser Nasser/AP

Autoritetet palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gaza-s torturojnë sistematikisht kritikët në paraburgim, praktikë që mund të çojë në krime kundër njerëzimit.

Kështu u shpreh një grup ndërkombëtar i të drejtave.

Në raportin e saj, “Human Rights Watch” (HRW) u bëri thirrje vendeve donatore të ndërpresin fondet për forcat palestineze të sigurisë që kryejnë krime të tilla dhe i kërkoi Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë.

Raporti pretendonte se forcat palestineze të sigurisë “përdorin izolim dhe rrahje, duke përfshirë fshikullimin e këmbëve, dhe i detyrojnë të burgosurit të qëndrojnë në pozicione të dhimbshme për periudha të gjata, duke përfshirë ngritjen e krahëve pas shpine me kabllo ose litar, për të ndëshkuar dhe frikësuar kritikët dhe kundërshtarët që nxjerrin rrëfimet”.

Raporti i HRW-së vjen një vit pas vdekjes së Nizar Banat, kritik i hapur i Autoritetit Palestinez (PA), familja e të cilit thotë se ai vdiq pasi forcat e sigurisë mësynë në banesën e tij në mes të natës dhe e rrahën me shkopinj metalikë.

Vdekja e tij shkaktoi javë protestash kundër PA-së, e cila qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Forcat palestineze të sigurisë shpërndanë me dhunë disa nga ato protesta.

“Amnesty International” javën e kaluar tha se PA-ja kishte dështuar t’i mbante forcat e saj të sigurisë përgjegjëse për vdekjen.

Autoritetet palestineze arrestuan 14 oficerë verën e kaluar dhe po i gjykojnë në një gjykatë ushtarake, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë kundër komandantëve të lartë.

“Më shumë se një vit pas rrahjes për vdekje Nizar Banat, Autoriteti Palestinez vazhdon të arrestojë dhe torturojë kritikët dhe kundërshtarët”, tha Omar Shakir, drejtor i Izraelit dhe Palestinës në HRW.

Abuzimi sistematik nga PA-ja dhe Hamas-i përbën një pjesë kritike të represionit të popullit palestinez.

Grupi renditi palestinezët, për të cilët tha se ishin arrestuar në mënyrë arbitrare pas vdekjes së Banatit.

HRW-ja tha se forcat e sigurisë nuk mbaheshin përgjegjës për torturën e supozuar dhe se, duke pasur parasysh natyrën e tyre sistematike gjatë shumë viteve, kjo praktikë mund të përbënte krime kundër njerëzimit.

Palestina është pjesë e Konventës Kundër Torturës, e cila kërkon nga anëtarët të punojnë për të parandaluar torturën.

Raporti përshkruan gjithashtu keqtrajtimin dhe torturën izraelite të të burgosurve palestinezë në Bregun Perëndimor, duke thënë se asnjë aktakuzë nuk është ngritur kundër forcave izraelite të sigurisë, pavarësisht qindra ankesave të bëra gjatë 20 viteve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore