Bota

Autoritetet italiane në mbrojtje të super-makinave


Media amerikane “Bloomberg”, i ka kushtuar një artikull super-makinave dhe betejës për heqjen e motorëve me djegie duke filluar nga viti 2035.

Autoritetet italiane kanë filluar bisedimet me Bashkimin Evropian, pikërisht për të gjetur mënyrën se si të mbrojë prodhuesit e super-makinave; Ferrari dhe Lamborghini.

Roberto Cingolani, ministër për Tranzicionin Ekologjik, ka deklaruar për “Bloomberg” se këta prodhues makinash – shesin një numër shumë më të ulët të automjeteve – ndryshe nga prodhuesit kryesorë.

“Këto vetura kanë nevojë për teknologji shumë të veçantë dhe kanë nevojë për bateri për këtë tranzicion”, tha ai.

Sipas Cingolani-t, Italia duhet të bëhet autonome në prodhimin e baterive me performancë të lartë.

Komisioni Evropian në korrik njoftoi planet për të hequr gradualisht shitjet e makinave të reja me motor me djegie deri në vitin 2035.

Kjo, si pjesë e përpjekjeve të rajonit për të zvogëluar emetimet që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Ky afat kohor është veçanërisht sfidues për prodhuesit e makinave luksoze që prodhojnë automjete me motorë të fuqishëm që lëshojnë nivele mbi mesataren e ndotjes.

Ferrari shiti rreth 9 mijë e 100 automjete në vitin 2020, ndërsa shitjet e Lamborghini numëronin rreth 7 mijë e 400.

“Kjo është diçka që ne po diskutojmë me partnerët e tjerë në Evropë dhe jam i bindur se nuk do të ketë asnjë problem”, ravijëzoi më tej zyrtari italian.

Ferrari pritet të zbulojë automjetin e tij të parë që punon plotësisht me bateri në vitin 2025, tha kryetari John Elkann në fillim të këtij viti.

Prodhuesi italian do të ndajë më shumë detaje mbi planet e tij gjatë vitit të ardhshëm. Ai gjithashtu do të fillojë shitjet e SUV-it të tij të parë, Purosangue, në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore