Shqipëria

Auditi rendit Ministrinë e Brendshme dhe Bashkinë Shkodër për performancë pozitive


Ministria e Brendshme e Shqipërisë është renditur si më korrektja për sa u përket veprimeve me Thesarin e Shtetit, gjatë vitit 2020, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) renditet në nivelin më të dobët.

Sipas raportit mbi “Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme për vitin 2020”, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Auditi i Brendshëm ka bërë këtë vlerësim.

Nga 72 pikë gjithsej, Ministria e Brendshme u vlerësua me 63 pikë, e dyta është renditur Ministria e Financave dhe Ekonomisë me dy pikë më pak se e para. Më poshtë vijon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo e Mbrojtjes, e Arsimit Sportit dhe Rinisë etj.

Dy ministritë që kanë marrë më pak pikë nga vlerësimi i auditit të brendshëm janë Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Analiza u mbështet në konsolidimin e të dhënave të raporteve vjetore të veprimtarisë së 126 njësive të auditimit të brendshëm që funksionojnë në sektorin publik.

Treguesit e raportuar japin informacion mbi strukturat audituese dhe kapacitetet e tyre, realizimin e planit të angazhimeve, vlerësimin e risqeve, sistemet dhe fushat ku gjetjet e auditimit kanë treguar të ketë dobësi materiale, rekomandimet e dhëna nga auditimi lidhur me to dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit, po ashtu dhe kufizimet me të cilat janë përballur audituesit dhe prioritetet për të ardhmen.

Sa i përket performancës së Bashkive, gjatë vitit 2020, Bashkia Shkodër, Korçë dhe ajo e Tiranës, u renditën të parat me numër të barabartë pikësh, nga 72 të mundshmet ato morën 47 pikë.

Ndërsa të fundit renditen Bashkia Elbasan me 38 pikë dhe ajo e Vlorës me 37 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore