Shqipëria

‘Ato fjalë dhembin’ – Dua Lipa e quan ‘dritëshkurtësi’ retorikën e Qeverisë britanike kundër shqiptarëve


Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e ka quajtur një dritëshkurtësi qëndrimin dhe retorikën e Qeverisë britanike për emigrantët shqiptarë, ku në të shkuarën ka pasur edhe etiketime si “pushtues” apo “kriminelë”.

Duke folur për të përditshmen britanike “The Sunday Times”, artistja e hiteve botërore të muzikës pop ka thënë se ato fjalë dhembin, mbi të gjitha në një qytet si Londra, të cilin ajo përherë e ka parë si një bashkim kulturash.

“Është dritëshkurtësi dhe mendjevogëlsi, por është mënyra se si mendojnë shumë njerëz. Pavarësisht se si ne përpiqemi të ndryshojmë retorikën, gjithmonë do të ketë nga ata që mendojnë: Emigrantët po vijnë në vend dhe po zënë punë”, shtoi ajo.

Mirëpo, sipas Duas, emigrantët që kanë shkuar në Londër apo qytete të tjera britanike e kanë fituar paranë e tyre duke punuar jashtëzakonisht shumë.

Ndaj, duhet të ketë më shumë ndjeshmëri, “sepse njerëzit nuk largohen nga vendi i tyre nëse nuk duhet ta bëjnë këtë nga nevoja. nga frika për familjen e tyre”.

Ajo nuk trembet që të jetë pjesë aktive dhe e zëshme e politikës në të gjithë botën. Por, sërish, do të zgjidhte të qëndronte larg politikanëve.

“Unë thjesht mendoj më me kujdes për t’u përshtatur me atë aspekt tani. Është ndryshe kur flas për të drejta të caktuara, por kam kuptuar se sado që dëshiron të besosh se dikush është një person i mirë, ata përfundojnë duke të zhgënjyer”, shtjelloi ajo pikërisht rreth politikanëve.

Në ditët e fundit, në media sociale si Facebook dhe Instagram, janë shfaqur si postime të sponsorizuara në profilet shqiptare edhe mesazhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ku theksohet se cilido që shkon ilegalisht në Britani, do të përballet me ndalim dhe largim.

Shqiptarët mbeten shqetësim për britanikët – Ambasada nis fushatë në media sociale, kundër emigrimit të jashtëligjshëm

Në të shkuarën, sekretarja e Punëve të Brendshme, Suella Braverman, ka shkuar deri aty sa të “kërcënojë” emigrantët e jashtëligjshëm me “dërgimin në një burg të Ruandës” dhe jo kthim në atdhe.

Por, me marrëveshjet e fundit të arritura mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij britanik, Rishi Sunak, azilantët e jashtëligjshëm do të riatdhesohen dhe po ashtu, edhe shqiptarët e dënuar në ishull, do të ekstradohen për të vijuar dënimin në burgjet shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore