Shqipëria

Shqiptarët mbeten shqetësim për britanikët – Ambasada nis fushatë në media sociale, kundër emigrimit të jashtëligjshëm


Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri ka nisur një fushatë të sponsorizuar në media sociale, ku përdoruesve shqiptarë në platforma si Facebook apo Instagram, i shfaqen spote të paguara, me qëllim parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm drejt ishullit.

“Mos u beso mashtrimeve të trafikantëve. Nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar nuk mund të punosh, të studiosh, apo të fitosh para dhe mund të përballesh me largim”.

Kështu shkruhet në një prej klipeve të sponsorizuar nga Ambasada.

Në një tjetër, përshkruhet fakti se “nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, do të përballesh me ndalim dhe largim”.

Kjo në fakt nuk është e para herë që diplomacia britanike i ka shfrytëzuar mediat sociale për mesazhe të tilla.

Që prej fillimit të janarit, spotet kanë qenë të pranishme në faqet e tyre kryesore.

Një lajmërim aspak i zakontë madje u publikua nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri asokohe, ku është theksuar rreziku i madh – deri në vdekje – me të cilin emigrantët shqiptarë mund të përballen nëse ndërmarrin udhëtimin ilegal drejt ishullit.

Mund të humbësh jetën – Ambasada Britanike nis fushatën kundër emigracionit të jashtëligjshëm nga Shqipëria

“Duke u përpjekur për t’u larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar mund të humbësh edhe jetën nga kushtet e rrezikshme të motit. Mos rreziko!”.

Kështu thuhej në tesktin e selisë diplomatike britanike në Shqipëri, pasqyruar edhe me një fotografi, ku postulati kryesor përkufizon se deti është i rrezikshëm e i paparashikueshëm. Ndaj, për këtë arsye, nuk duhet kaluar kanali i La Manche në mënyrë të jashtëligjshme.

Fushata e ka një zë edhe sa i përket kostos së lartë për të kaluar ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke kulmuar edhe me kërcënimin e zhvendosjes së burgjet e Ruandës, si bazë e marrëveshjes që Londra ka me strukturat e shtetit afrikan.

Një përballje me sanksionet dhe dënimet e mundshme penale nuk përjashtohet aty.

Të gjitha këto, janë në vazhdën e një fushate reale të ligjvënësve britanikë kundrejt emigrantëve të jashtëligjshëm që vijnë nga Shqipëria, kryesisht përmes rrugëve detare.

Sipas tyre, shifrat janë tejet të larta dhe shqiptarët zënë numrin më të madh të kalimeve, duke shkaktuar probleme për gjithë sistemin britanik.

Zërin mbi këtë aspekt e ka ngritur përtej toneve normale sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman. Kur, nga ana tjetër, kryeministri Rishi Sunak, pas marrjes së mandatit, kërkoi të qetësonte retorikën mes dy shteteve, duke parë edhe një përgjigje jo pozitive që shkoi ndaj komenteve të Braverman.

Teksa, mes vendeve, janë lidhur disa marrëveshje, për deportimin jo vetëm të emigrantëve të jashtëligjshëm, por edhe të personave të burgosur, të cilët do të kthehen në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tyre të mbetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore