Lajme

ATK: Kemi inkasuar mbi 500 milionë euro të hyra, sfidë mbeten komunat në Veri


Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka arritur të inkasojë mbi 500 milionë euro të hyra tatimore. Por, sfidë e tyre mbetet inkasimi i tatimeve në katër komunat veriore të Kosovës.

“Kemi arritur të tejkalojmë shifrën e gjysmë miliardi euro ose 506 milionë euro, shumë kjo e cila nëse bëjmë krahasim me vitin 2019 që ka qenë në vitin më stabil, tani kemi tejkaluar totalin e të hyrës së realizuar në vitin 2019 që kanë qenë 504.2 milionë euro”, është shprehur Drejtori i ATK-së, Ilir Muretzaj.

“Në pjesën veriore është një sfidë më e theksuar në realizimin e misionit të ATK-së, por së bashku me stafin të cilët janë të komunitetit serbë që veprojnë në atë pjesë bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të luftojnë informalitetin edhe në pjesën veriore”, shtoi ai për Kosovapress.

Drejtori i ATK-së, Ilir Muretzaj.

Siç thotë ai, nga të dhënat që i posedon ATK-ja, tregojnë se “kemi tatimpagues të cilët respektojnë ligjet tatimore të Kosovës dhe vazhdojnë të deklarojnë dhe paguajnë tatime në vazhdimësi. Mirëpo, sigurisht që ka edhe të dhëna të tjera të cilat dëshmojnë se ka informalitete dhe në pjesën veriore”.

Sipas Drejtorit të ATK-së, shifrat e punësimit në vend, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, “kanë arritur në 362 mijë e 622 punëtorë, ose 18 mijë më shumë se në vitin 2020”.

Dhe sipas tij, për këtë deklarim rritje të të punësuarve kanë ndikuar disa faktorë.

Po ashtu, ai theksoi se në kuadër të tri masave që burojnë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike kanë përfituar nëntë mijë e 968 të punësuar.

“Si institucion kemi zhvilluar aktivitete në kontinuitet në terren për të identifikuar të punësuarit të cilët kanë qenë duke punuar dhe të pa formalizuar, pa kontrata. Gjatë periudhës janar-shtator kemi identifikuar dy mijë e 746 të punësuar të cilët kanë qenë duke punuar, por kanë qenë pa kontrata pune. Të gjitha këto bëjnë që të kemi rritje të të punësuarve në kuadër të luftimit të informalitetit”.

Por në të njëjtën kohë “nëse i referohemi edhe të dhënave tjera që i kemi dhe bëjmë krahasime për shembull me periudhën shtator-2021, numri i të punësuarve të deklaruar në ATK është 362 mijë e 622 punëtor. Dhe nëse e krahasojmë me janarin e po të njëjtit vit, që është 344 mijë 452 punëtorë, rezulton që kemi diku mbi 18 mijë punëtorë më tepër të deklaruar në kuadër të të dhënave të ATK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore