Sport

Atalanta e Gjimshitit ‘shpartallon’ Spezia-n e Manajt


Skuadra e Atalanta-s, ku aktivizohet qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka arritur të triumfojë me rezultatin 5-2 përballë Spezia-s. Te këta të fundit, aktivizohet lojtari tjetër kuqezi, Rei Manaj.

Skuadrat u përballën në “Gewiss Stadium”, për javën e 13 të Serie A italiane. Vendasit e drejtuar nga Gian Piero Gasperini ishin dominues në lojë.

Gjimshiti luajti për 90 minuta të plota në këtë takim. Ndeshja e parë për mbrojtësin pas dëmtimit të pësuar gjatë ndeshjes së kombëtares me Hungarinë, në transfertë. Ai bëri paraqitje të mirë, i vlerësuar me notën 6.9 nga “Sofascore”.

Manaj u fut në fushën e blertë në minutën e 52.  Sulmuesi dha disa shkëndija në lojën e miqëve. Performanca e tij u vlerësua me notën 6.5 nga “Sofascore”.

Përsa i përketë golave, ishin miqtë që do të kalonin në avantazh të parët. M’Bala Nzola e dërgoi topin në rrjetë pas 11 minutave lojë. Avantazhi i miqëve do të zgjaste vetëm shtatë minuta, kur Mario Pasalic do të vendoste barazpeshën.

20 minuta më vonë, Duvan Zapata do të mendonte për golin që do i jepte avantazhin vendasve, për herë të parë në këtë takim. Kolumbiani shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Rezultatin e pjesës së parë do e vuloste goli i dytë personal i kroatit, Pasalic, në minutën e 41. Ai e dërgoi në rrjetë topin e dhuruar nga Zapata dhe shifrat shkuan në 3-1.

Pjesa më e madhe e lojës në pjesën e dytë do të vijonte me të njëjtin rezultat, deri në minutën e 83. Pikërisht në këtë minut, kolumbiani tjetër i Atalanta-s, Luis Muriel-i shënon golin e katërt të vendasve, pas asistit nga Pasalic-i.

Muriel do të ishte njeriu asist te goli i pestë i vendasve në minutën e 89, të cilin e shënoi Ruslan Malinovskyi. Miqtë do të ngushtonin diferencën në minutën 90+1 me autorin e golit të parë, Nzola-n.

Tri pikë për Atalanta-n që shkon në kuotën e 25 pikëve në vendin e katërt. Spezia qëndron në kuotën e 11 pikëve në vendin e 16.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore