Lajme

AstraZeneca, përfitime nga shitja e vaksinave COVID në 2022-shin


Kompania AstraZeneca, ka nënshkruar marrëveshjet e para fitimprurëse për vaksinën COVID-19.

Kompania AstraZeneca ka nënshkruar marrëveshjet e para fitimprurëse për vaksinën COVID-19, duke u larguar kështu nga modeli jofitimprurës që përdori gjatë pandemisë.

Prodhuesi anglo-suedez i barnave pret që vaksina të kalojë në “përfitim modest”, pasi të merren porosi të reja.

Si pjesë e marrëveshjes së saj me OXFORD-in, AstraZeneca u zotua ta shesë vaksinën “me kosto” për kohëzgjatjen e pandemisë.

Pascal Soriot, shefi ekzekutiv i AstraZeneca-s, tha se kompania ishte konsultuar me ekspertë dhe arriti në përfundimin se COVID-19, po hynte në një “fazë endemike”.

Po ashtu, ai u shpreh se “është koha e duhur për të ndryshuar kontratat për shumë vende vitin e ardhshëm”.

Ai shtoi se në tremujorin e katërt, pjesa më e madhe e dozave do të ishin ende sipas kontratave ekzistuese jofitimprurëse.

Soriot tha se rentabiliteti do të ishte “shumë më i ulët” sesa për rivalin Pfizer.

Gjithashtu i qëndroi vendimit të AstraZeneca-s për të marrë vaksinën në baza jofitimprurëse.

“Unë absolutisht nuk pendohem për këtë”, tha ai. “Ne jemi të gjithë shumë krenarë si kompani për ndikimin që kemi pasur. Ne jemi vaksina e dytë më e madhe në botë për nga vëllimi, kemi shpëtuar miliona shtrime në spital”.

Ideja për shitjen e vaksinës erdhi pasi AstraZeneca njoftoi se po krijonte një njësi vaksinash dhe terapish imune, për të bashkuar produktet e saj COVID-19 dhe trajtimet e tjera të saj për sëmundjet virale të frymëmarrjes.

Kompania rezervoi 1 miliard dollarë të ardhura nga vaksina në tremujorin e tretë, shumë më pak se rivalët që paguajnë më shumë.

Pfizer gjeneroi 13 miliardë dollarë në shitje nga vaksina e saj dhe Moderna raportoi të ardhura prej 5 miliardë dollarësh, shumica dërrmuese nga vaksina e saj COVID-19.

Fitimet nga shitjet e vaksinave në tremujorin e katërt do të mbulojnë kostot e investimit në trajtimin e antitrupave të AstraZeneca për COVID-19.

Soriot tha se në maj se ai nuk e dinte se kur do ta konsideronin të mbaruar pandeminë dhe se ajo mund të ishte në bazë të vendit.

AstraZeneca nuk kishte një biznes të rëndësishëm vaksinash përpara partneritetit të saj me OXFORD-in. Vonesat te dërgesat, debatet rreth të dhënave dhe shqetësimet për një efekt anësor të rrallë të mpiksjes së gjakut kanë kontribuar që kompania të humbasë pjesën e tregut në vendet e zhvilluara ndaj rivalëve që përdorin teknologjinë e re “mRNA”, edhe pse ka një vaksinë më të lirë dhe më të lehtë për t’u transportuar.

AstraZeneca i mposhti pritshmëritë për të ardhurat, por humbi fitimet në tremujorin e tretë, duke ulur aksionet rreth 4 për qind.

Shitjet totale u rritën me 48 për qind në kursin konstant të këmbimit në 9.9 miliardë dollarë, mbi parashikimin e konsensusit për 9.6 miliardë dollarë.

Duke përjashtuar vaksinën, shitjet u rritën 32 për qind, të nxitura nga ilaçet onkologjike, rritja në tregjet në zhvillim dhe shtimi i Alexion Pharmaceuticals, kompania e sëmundjeve të rralla AstraZeneca bleu për 39 miliardë dollarë.

Por, fitimet e rregulluara për aksion prej 1.08 dollarësh ranë më pak se vlerësimi mesatar i analistëve prej 1.24 dollarësh, pas tarifave të njëhershme në lidhje me integrimin e Alexion.

AstraZeneca nuk e ndryshoi udhëzimin e fitimeve për vitin e plotë, duke pritur ende fitimet bazë për aksion midis 5.05 dhe 5.40 dollarë.

Të ardhurat totale pritet të rriten me një përqindje mesatare, duke përjashtuar vaksinën COVID-19.

Soriot tha se ai pret një “përfundim solid” të vitit.

“Portofoli ynë i gjerë i barnave dhe ekspozimi i larmishëm gjeografik ofron një platformë të fortë për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore