Shëndet

Artistët dhe politikanët në mbështetje të Adriana Matoshit


Adriana Matoshi - Aktore dhe Politikane

Lajmi se aktores dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshit i është rikthyer tumori në hipofizë, ka prekur shumë njerëz, e posaçërisht kolegët e saj.

Figura të shumta publike, si nga arti ashtu edhe nga politika, kanë reaguar menjëherë pas kumtimit të lajmit, ndërsa kanë shprehur mbështetjen e tyre karshi Matoshit.

Mes personash të parë që kanë reaguar ka qenë këngëtarja, Dafina Zeqiri, e cila ka publikuar një pjesë të video klipit të këngës së saj “Duro”, ku në pjesët e klipit shihet edhe vetë Adriana.

“Unë zgjedh buzëqeshjen si petkun më të mirë të mbrojtjes dhe përballjes me sfidat e jetës”.

“Femër e fortë është ajo e cila pas çdo dhimbje arrinë të përqafojë realitetin me një buzëqeshje e cila flet më shumë se 1 mijë fjalë. Të dua Adriana Matoshi”, ka shkruar Dafina në postimin e saj të publikuar në Instagram.

Shpejtë ka reaguar edhe mikesha e saj po ashtu deputete, vetëm se nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës – Blerta Deliu Kodra, e cila e ka quajtur Matoshin të fortë për t’i bërë ballë sfidave.

Fotografi e publikuar në mediat sociale nga Blerta Deliu – Kodra.

“Të njoh gjatë e ta di forcën për me i tejkalu problemet. Zoti të pastë në dorë. Krejt lutjet e mija janë për ty shoqe”, ka shkruar Deliu teksa ka ndarë një fotografi krah Matoshit.

Edhe aktorja tjetër e njohur kosovare, Shengyl Ismaili, ka qenë mes figurash publike që kanë reaguar mbi lajmin e hidhur të përkeqësimit të shëndetit të Adriana Matoshit.

Adriana Matoshi dhe Shengyl Ismaili.

“Ke me e kalu edhe këtë sfidë, si krejt sfidat qe i ke kalu. E kemi me këndu e buzëqesh shumë shpejtë bashkë. Te don shoqja pafund, zemërbardha jem”, ka shkruar Ismaili.

Ndërkohë, një reagim të veçantë e ka bërë edhe ish gazetarja, Arbana Xharra, e cila ka vite që është zhvendosur për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Xharra ka thënë se e njeh mirë Matoshin dhe se sipas saj ajo do ta kalojë edhe këtë sfidë, sado e rëndë të jetë.

Fotografi e publikuar nga Arbana Xharra në Facebook.

“Ty nuk ka mundësi me të mbopshtë sëmundja, se ti një herë i ke tregu se sa e fortë je. Veç prej një shpirti të mirë mund të dalin fjalët që ti mi ke thënë mua. E di sa ke forë e drita jote e bardhë la, do ta verbojë çdo të keqe në trupin tënd”.

“Ti ke me mposhtë këtë sëmundje e neve ke me na pasë me lutjet tona gjatë gjithë rrugëtimit tënd. Të dua shumë”, ka shkruar Xharra në një postim në llogarinë e saj të Facebook-ut.

Reagim publik ka bërë edhe këngëtari, Yll Limani, i cili e ka publikuar një fotografi të Adriana Matoshit, ku shihet duke buzëqeshur, ndërsa ka përzgjedhur disa fjalë motivuese si dedikim për të.

Fotografi e publikuar nga Yll Limani në Instagram.

“Kurgjo nuk mundet me e mposht buzëqeshjen tane, Adriana Matoshi! Ti je një luftëtare dhe do t’ia dalësh. Të dua”, ka shkruar Limani.

Pëndryshe, Adriana Matoshi, përmes një postimi prekës në Facebook, ka treguar se pas nëntë vitesh i është rikthyer tumori në tru, për të cilin ishte operuar.

“Kanë qenë të shumta sfida që më është dashur të kaloj. Në atë periudhë isha edhe shtatzënë. Asnjë moment nuk u dorëzova. Dashuria ime për jetën ishte më e madhe se frika ndaj vdekjes”, është shprehur ajo.

Ajo ka theksuar se gjatë këtyre viteve, ka qenë mjaft e angazhuar dhe e përkushtuar në familjen e saj.

“Mendoj që i kam thyer limitet e vetes. Stresi i akumuluar dhe mbingarkesat janë disa nga faktorët, që ndoshta kanë ndikuar në rikthimin e tumorit”, tha ajo.

Të mërkurën, aktorja do të përballet me sfidën e operimit.

“Më duhet të jetoj sepse kam shumë qytete të botës pa parë, shumë skena filmi pa shkel, shumë role pa luajtur”, shtoi më tej ajo.

Në fund, ajo jep një mesazh duke theksuar se është shumë e rëndësishme të vlerësoni jetën, dhe “mos të lakmoni as pasurinë, as famën, pasi asnjë sukses nuk vjen para jetës”

Ndërkaq, për nder të Adriana Matoshit, e cila tregoi se po përballet sërish me tumor në tru, nesër organizohet ecje nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.

“Ecim për Adrianën”.

Me anë të kësaj ecje synohet solidarizimi me sfidën e Matoshit, për çka edhe po luten të gjithë që ta fitoj si çdo peripeti që e ka kaluar në jetë.

Po ashtu, përmes kësaj ecje janë ftuar të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin në këtë luftë dhe ti tregojnë që jemi të gjithë bashkë me të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore