Shqipëria

Artan Fuga konfirmon kandidaturën për kreun e Akademisë së Shkencave


Artan Fuga ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Akademisë së Shkencave.

Ai, në një reagim në Facebook, i është përgjigjur interesit që lidhet mbi këtë çështje, duke shtuar se është përpjekur për një model tjetër pa asnjë interes personal.

Megjithatë, ai ka vijuar duke thënë se është “ende shpejt për kandidime të zyrtarizuara”.

Aktualisht Akademia e Shkencave drejtohet nga Skënder Gjinushi. Ai u shpall kryetar i Akademisë së Shkencave pas zgjedhjeve që u kryen më 24 maj 2019, duke marrë 35 vota pro dhe gjashtë kundër.

Ndërkohë, këtë vit mandati i tij përfundon.

Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate ishte kandidati i vetëm për kryetar në zgjedhjet për Akademinë e Shkencave. Për herë të parë pas ndryshimeve ligjore të vitit 2008 në këto zgjedhje votoi edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, përmes postës elektronike.

Kurse Fuga nuk ishte i pranishëm dhe u shpreh se zgjedhjet ishin në kundërshtim të plotë me rregulloren që parashikonte akademia.

Ndërkaq, akademiku ka parashtruar edhe tre objektiva, për të cilat shkruan se “kurrë nuk i braktis”.

Ndër to është vazhdimi i promovimit të modelit të tij për një akademi shkencash të vërtetë, sipas modeleve perëndimore pa përjashtim, “jo të kthyer në një institut kërkimesh pa aks e pa bosht, që duplikon Institute të tjera duke shpërdorur kështu paranë publike”.

Por gjithashtu eshë për të treguar “dështimet e modelit të tanishëm të imponuar me dhunë nga një grusht deputetësh që sot nuk dihet se ku janë, të imponuar nga politika”.

Ndërkohë, mazhoranca i ka hapur Skënder Gjinushit rrugën për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tanishëm.

Një grup deputetësh kanë propozuar ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”.

Kurse me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore