Lajme

Arrestohet një grua pasi u regjistrua si nxënëse e shkollës së mesme në New Jersey


Në New Jersey, një grua 29-vjeçare është arrestuar pasi dyshohet se është paraqitur si nxënëse e shkollës së mesme.

Gruaja, e identifikuar nga policia si Hyejeong Shin, është akuzuar për përdorimin e një dokumenti të rremë identifikimi për t’u regjistruar në shkollën e mesme të New Brunswick.

Shin e ndoqi shkollën për katër ditë përpara se stafi të zbulonte moshën e saj.

Referuar zyrtarëve të shkollës, policia po heton çështjen dhe do të bëhet një rishikim i procesit të regjistrimit të distriktit.

Çështja doli në dritë në një takim të bordit arsimor lokal, ku mbikëqyrësi i distriktit të shkollës publike të New Brunswick Aubrey Johnson u ka treguar të pranishmëve se Shin u kap në shkollë.

Ai ka treguar se ajo kishte qenë në disa klasa dhe kishte kaluar ca kohë me këshilltarët udhëzues, të cilët u përpoqën të gjenin më shumë informacion rreth saj.

Më pas u zbulua mosha e rreme e Shin dhe shkolla njoftoi menjëherë policinë.

Ajo, prej asaj kohe, është arrestuar për sigurimin e një certifikate false të lindjes “me qëllim që të regjistrohet si nxënëse në shkollë të mesme”.

Ligji i shtetit të New Jersey-t lejon që studentët të regjistrohen në shkollë edhe pa një kujdestar ose pa të gjitha dokumentet e kërkuara.

Dhe kjo nuk është hera e parë që një i rritur kapet duke u paraqitur si gjimnazist.

Një burrë i quajtur Brian MacKinnon hyri si student i vitit të pestë në një shkollë të mesme pranë Glasgow në vitin 1993 kur ishte 30 vjeç.

Ai pretendonte se ishte një 17-vjeçar nga Kanadaja.

MacKinnon mbeti i regjistruar në shkollë për një vit të tërë. Ai u ekspozua një vit më vonë kur ishte student në shkollën e mjekësisë të Universitetit Dundee, pasi një gazetë raportoi mbi identitetin e tij të vërtetë.

Historia e tij tërhoqi vëmendjen mbarëbotërore dhe ishte subjekt i një filmi dokumentar të vitit 2022.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore