Lajme

Armët në kisha, Vujoviç: Duke e ditur situatën në Mal të Zi – s’i përjashtoj pretendimet për armatosjen një pjese të Veriut


Nënkryetar i Qendrës Malazeze PEN dhe akademiku Sreten Vujoviç, në një intervistë për The Geopost, ka folur për pretendimet e deputetes britanike Alicia Kearns, se armët në Veri të Kosovës kontrabandoheshin me autoambulanca dhe dërgoheshin në kisha.

“Duke e ditur mjaft mirë situatën në Mal të Zi, nuk e përjashtoj që pretendimet për armatosjen e pjesës veriore të Kosovës janë të vërteta”, tha ai.

“Shumë gjatë është heshtur dhe dihet se që nga fillimi i dramës ballkanike, njerëzit e kishës ishin pjesëmarrës aktivë në ngjarjet e luftës, se kishat ishin praktikisht qendra grumbullimi ku ruheshin armët dhe municionet”.

Po ashtu ai ka theksuar se në Veri të Kosovës gjenden 11 laboratorë të narkotikëve, të cilat sipas tij, kontrollohen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Kur bëhet fjalë për Veriun e Kosovës, Vuçiç do ta tejkalonte lehtësisht humbjen e atyre komunave me kompensimin e përmendur tashmë, por nga analistët nga Serbia dëgjojmë se ai ka nevojë për atë zonë si ‘tokë të askujt’ në mënyrë që të 11 laboratorë me opiume mund të tregtojnë pa pengesa”, shtoi ai.

Ndryshe, shefja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka ngritur alarmin se po kontrabantohen armë nga Serbia dhe po ruhen në kishat ortodokse serbe, ndërsa transporti bëhet nëpërmjet autoambulancave në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Qeveria e Britanisë së Madhe dhe ushtarët e sapokthyer nga shërbimi në KFOR janë të vetëdijshëm se ka armatim që kontrabandohet me ambulanca nga kufiri prej Serbisë, në kishat ortodokse. Kur trupat tanë janë në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje dhe t’i kapin, leja zgjatet shumë”, ka thënë ajo.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se nuk kanë asnjë dëshmi për pretendimet e ngritura nga deputetja britanike, ndërsa ka shtuar se hetimet për një çështje të tillë janë nën përgjegjësinë e strukturave të sigurisë së Kosovës.

Ndërsa të shtunën, dy shok-bomba janë gjuajtur në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë të Veriut, por nuk ka pasur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore