Lajme

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE teston esencën e propozimit evropian për zgjidhje finale – tregohet përkushtimi i Unionit për marrëveshje


Foto nga Albanan Post

“Do të jenë 4 – 5 orë bisedimeve të rëndësishme dhe të vështira”, tha Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë, kur u paraqit para mediave për të treguar, pos tjerash, se me 17 dhjetor një delegacion shumë i rëndësishëm i vjen në Beograd.

Vuçiç atë ditë pret Miroslav Lajçak-un e Bashkimit Evropian, por bashkë me të edhe këshilltarët me të cilët erdhi edhe propozimi franko-gjerman, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Në anën tjetër, brenda ditëve të ardhshme, ndoshta edhe para 17 dhjetorit, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE.

“Jemi gati ta vendosim Kosovën në këtë trajektore të re”, tha Besnik Bislimi, në një intervistë dhënë për mediumin amerikan Politico, kur u pyet nga gazetarja Lili Bayer të dielën.

Albanian Post mëson nga burime diplomatike se pikërisht aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është çelësi që mund të tregojë qysh në fillim se çfarë rruge do marr procesi tutje dhe ky aplikim është i ndërlidhur pashkëputshëm edhe me arritjen e një marrëveshje finale.

Prandaj, burimet thonë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE e teston esencën e propozimit evropian, që është hartuar pas angazhimit dinamik të Gjermanisë dhe Francës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA.

“Ky nuk është test për palët në bisedime, por test për vetë BE-në”, thotë burimi.

Siç potencohet, edhe ideatorët burimorë të planit aktual për normalizim të marrëdhënieve janë të mendimit që dorëzimi i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE e teston unitetin veprues të BE-së dhe përkushtimin e vërtetë të 27 shteteve anëtare ndaj këtij plani.

Burimet e AP përkujtojnë që ky plan i qaset normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si një problem brenda evropian dhe për synim final ka menaxhimin e rrugës së Kosovës dhe të Serbisë drejt BE-së, si dy rrugë të ndara me një qëllim të përbashkët.

Rrjedhimisht, nëse Serbia dhe Kosova vërtet duan të anëtarësohen në BE atëherë ky plan e krijon mekanizmin me anë të cilit do të menaxhohet procesi drejt anëtarësimit përgjatë maksimalisht 10 vjetëve të ardhshme, pa pasur nevojë që në këtë fazë Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Edhe Bislimi në intervistën e tij në Politico përmendi vitin 2030 si vitin aspirues për anëtarësim.

Kryediplomati çek, Jan Lipavsk, shteti i të cilit ka presidencën e BE-së aktualisht dhe Besnik Bislimi në takimin e fundit.

Aktualisht, anëtarësimi i Kosovës në BE nuk është një projeksion aspak real në terma afatshkurtër, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtete anëtare.

Dhe, siç dihet, proceduralisht pranimi i kërkesës për aplikim mund të bëhet vetëm me votim unanim të të gjitha shteteve anëtare, diçka që aktualisht është e pamundur.

Por, përkundër këtij fakti të vetëkuptueshëm, Serbia megjithatë u është drejtuar 5 shteteve mos njohëse që ato ta bllokojnë procesin e aplikimit të Kosovës, me idenë që të mos merret fare në shqyrtim.

Synimi i Serbia është që aplikimi i Kosovës as të mos arrijë në rend dite.

Por, sipas burimeve të AP, nëse këto pesë shtete e pranojnë kërkesën e Serbisë që çështja e aplikimit të Kosovës të mos merret në shqyrtim, atëherë edhe vetë plani që tani po shtyhet dhe po cilësohet nga Josep Borrell si plan evropian, “nuk do përbënte vërtet një plan evropian, por thjesht një farsë”.

Sikur Kosova të ballafaqohet me një refuzim të tillë të vrazhdë kur të aplikojë zyrtarisht, atëherë “Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e procesit të dialogut si dhe të marrë në shqyrtim çfarëdo koncesioni të ri”, thonë burimet e AP-së.

Sipas këtyre burimeve diplomatike në mënyrë që BE të demonstrojë seriozitet, unitet veprues dhe mbështetje për planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që menaxhon rrugët e dy shteteve drejt BE-së, dy gjëra duhet të ndodhin patjetër.

“E para; Aplikimi i Kosovës duhet të procedohet në mënyrë të rregullt, pra pesë shtetet mos njohëse bëhen pjesë e unitetit evropian. Në këtë pikë, pesë shtetet mos njohëse i bashkohen 22 shteteve të tjera që tashmë e kanë njohur Kosovën dhe që rrjedhimisht e duan Kosovën në BE, në një pikë në të ardhmen bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, dhe e dyta “Këshilli i Ministrave të BE-së e pohon/konfirmon marrjen e kërkesës për aplikim, por e thekson që ky procedimi i mëtejmë i këtij aplikimi kushtëzohet nga suksesi në procesin e dialogut. Në këtë pikë, 22 shtetet njohëse i bashkohen hezitimit të 5 shteteve mos njohëse të cilat duan një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

Brenda këtij skenari dhe në këtë sekuencë zhvillimesh Bashkimi Evropian do të jepte tri mesazhe të fuqishme, të cilat janë edhe të domosdoshme për rrugën para.

Kështu BE do ta konfirmonte unitetin veprues, diçka që në vetvete e rrit kredibilitetin si lehtësues, ndërmjetës dhe arbitër i procesit të dialogut, e konfirmon që perspektiva evropiane për Kosovën është diçka reale dhe jo një koncept abstrakt dhe e fundit, ia bën të qartë Serbisë që procesi aktual i bisedimeve është vërtet fundi i rrugës dhe që dialogu në Bruksel nuk mund të zvarritet deri në pafundësi.

E gjitha mbetet të kuptohet brenda disa ditësh kur Kosova të bëjë zyrtarisht aplikimin dhe BE po zyrtarisht t’i përgjigjet kësaj kërkese të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore