Lajme

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është shqyrtuar ende, thotë Varhelyi


Ursula von der Leyen dhe Oliver Varhelyi

Kosova në dhjetor të vitit të kaluar kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, asokohe presidencës Çeke.

Por, që nga ajo kohë BE-ja ende është duke u konsultuar me vendet anëtare të Unionit nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet tutje apo jo.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Komisioni për Zgjerim dhe Fqinjës të Mirë i BE-së, Oliver Varhelyi, i cili në një konferencë për media pas miratimit të paketës së zgjerimit të Unionit, tha se Këshilli i BE-së ende nuk ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të japë opinion për këtë çështje.

“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, pohoi ai.

Sipas tij rruga e Kosovës drejt Unionit varet nga suksesi i procesit të dialogut.

“Palët duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, ka shtuar Varhelyi.

Në anën tjetër në konferencën për media në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo.

Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore