Kosova

Apeli në rastin “Pronto” aprovon lirimin e Adem Grabovcit dhe Sadat Gashit, dënohet Ilhami Gashi


Adem Grabovci

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin e njohur si “Pronto”, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.

Është ndryshuar pjesërisht aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të akuzuarit Ilhami Gashi, thuhet në komunikatën për media. Ndërsa sa i përket të akuzuarve Adem Grabovci dhe Sadat Gashi, gjykata ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 2 mars të vitit 2020, i kishte liruar nga akuza.

Ndërsa të akuzuarit Ilhami Gashi për dy pika të aktakuzës për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, i ka shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti e katër muaj.

Gashit gjithashtu sipas aktgjykimit të gjykatës së Apelit, i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy viteve.

Tre të akuzuarit me datën 9 shtator të vitit 2021, kishin kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të njëjtit të lirohen nga akuza.

Gjykimi ndaj të akuzuarëve në rastin “Pronto”

Në muajin prill të këtij viti Gjykata Supreme e kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin.

Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Të tre akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Gjithashtu, Grabovcit i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vite, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 vitev.

Edhe Gashit i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa për të akuzuarit tjerë në rastin “Pronto”: Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, Apeli e kishte refuzuar ankesën e PSRK, duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Disa nga të akuzuarit në rastin “Pronto”

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 3 janar 2021 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”.

Gjykimi për këtë rast ka filluar më 15 nëntor të vitit 2018, ku në seancën fillestare të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe më vonë kishin kundërshtuar aktakuzën.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Rasti “Pronto” ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta të interesit, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Nga disa përgjime të EULEX-it në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat ku Grabovci dëgjohej duke biseduar me ish-presidentin Hashim Thaçin, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës.

Zyrat e EULEX-Prishtinë

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore