Lajme

Apeli ia rrit dënimin recidivistit serb i akuzuar për krime lufte


Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke ia rritur dënimin nga 10 në 13 vjet, rezervisitit të policisë serbe Z.V., të dënuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

“Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit Special, është aprovuar pjesërisht ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë Speciale si dhe ankesa e të akuzuarit Z.V dhe mbrojtësit të tij avokatit N.V, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftimin e Apelit.

“Në këtë aspekt janë të pabaza pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni 384 të KPP-së, ngase, dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike”.

Gjithashtu kolegji ka vlerësuar se nën dritën e kësaj, dëshmia e dëshmitares – dëmtuarës D1, karakterizohet nga qartësia, faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e  zhvillimit  dhe logjikën jetësore të  ngjarjes, prej fillimit e deri tek trajtimi i saj tek mjekët pas këtyre ndodhive.

“Është e rëndësishme të potencohet, se dëshmitarja D1, ka dhënë fragmente të hollësishme të ngjarjes të cilat mund ti jap vetëm një person që i ka përjetuar dhe parë drejtpërdrejtë, të cilat pastaj i rrëfen në mënyrë të natyrshme”.

Sipas Apelit, aspektet e tilla i japin dëshmisë jo vetëm besueshmëri, por edhe vërtetësi, saktësi dhe objektivitet.

“Duhet pasur parasysh se dëshmitarja D1, ka dëshmuar disa herë, dhe ajo ishte në gjendje përkundër ndjeshmërisë, komplikueshmërisë dhe përsëritjes së dëgjimeve të jep deklarata të cilat janë konsistente, pa ndonjë kundërthënie eventuale që do të mund të ngritin ndonjë dyshim në besueshmërinë e vërtetësinë e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore