Lajme

Apeli i liron nga akuza për keqpërdorim të pozitës ish-ministrat në rastin “Afera e Hidrocentraleve”


Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin nga akuza të katër ministrave të ish-Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj e Dardan Gashi, në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”.

“Gjykata e Apelit, me aktgjykimin ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Tutje është theksuar se pretendimi i prokurorisë se vepra penale është kryer në mënyrë permanente dhe se ligjet, sikur ai që ka qenë në fuqi dhe ai i më vonshëm kanë përmbajtje të njëjtë, meqenëse kanë rregulluar çështjen e posedimit të licencave, një interpretim të tillë  kolegji i gjykatës së shkallës së dytë e konsideron si të pabazuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të dyshuarit kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore