Kosova

Apeli akoma pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut


Ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Gjykata e Apelit akoma nuk ka marrë vendim në rastin e kryeshefit të pezulluar nga Korporata e Energjisë së Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga.

“Ne nuk kemi pranuar akoma vendim të Gjykatës së Apelit, vazhdojmë të jemi në pritje të vendimit”, tha avokati Ibrahimaga për AP.

Kurse, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Kundër këtij vendimi, mbrojtja e tij ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Të mërkurën e 19 prillit, Krasniqi u arrestua nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore