Shqipëria

Antiterrori u ndalon hyrjen në Shqipëri dy shtetasve iranianë


Në aeroportin e Rinasit janë ndaluar dy shtetas iranianë.

Ata janë një burrë dhe një grua të lindur në Iran, me shtetësi gjermane. Respektivisht Afshin Kalantarit dhe Soltani Batool, të cilëve u është refuzuar hyrja.

Përpos kësaj, atyre u është kërkuar nga autoritetet kthimi nga kishin udhëtuar për në Gjermani.

Por kjo kërkesë është refuzuar. Ata janë mbajtur për 72 orë në aeroport, duke u deportuar më pas në Gjermani.

Fillimisht, ky lajm u bë publik nga gazetari i “Top Channel”, Muhamet Veliu e më pas, lajmi u konfirmua edhe nga burime të Albanian Post pranë antiterrorit.

Mësohet se policia e kufirit ka njoftuar Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit sapo dy iranianët kanë paraqitur një ftesë nga shoqata ASILA e krijuar për të ndihmuar iranian që jetojnë në Shqipëri.

Në ftesë thuhej se Afshin Kalantari dhe Soltani Batool do të merrnin pjesë në një ceremoni të mikut të tyre Iranian, i ardhur në Shqipëri nga Gjermania.

Me urdhër të prokurorëve të SPAK, dy javë më parë, zyrat e ASILA u kontrolluan prej oficerëve të BKH.

Shoqata ASILA është vënë nën hetim për lidhje me regjimin e Iranit dhe veprimeve që synojnë cenimin e sigurisë së anëtarëve të MEK, të strehuar në Shqipëri.

Ditë më parë, në redaksinë e Albanian Post dhe në adresat personale të disa gazetarë kanë ardhur email-e të dyshimta nga një gazetar “i supozuar” iranian, i cili ka kërkuar kontakt dhe bashkëpunim.

“Jam një gazetar i pavarur iranian, i cili po punon aktualisht në çështjen e muxhahedinëve”, e nis mesazhin një person, nën emrin Ali Pouladi.

Albanian Post kërkoi menjëherë të dhëna online për personin, por pa arritur të identifikojë profile apo postime publike mbi të.

I njëjti mesazh ka ardhur edhe në mediat sociale të shumicës prej gazetarëve të Albanian Post, por ato janë anashkaluar për çështje të sigurisë.

Katër ditë më vonë, ndodhi sulmi kibernetik masiv në Shqipëri.

Pyetjes se cili vend fshihet pas sulmit, përgjigje ende nuk i është dhënë zyrtarisht.

Hamendësimet janë disa në publik, por të dhënat që të paktën deri tani Albanian Post disponon, bien pikërisht mbi Iranin. Megjithatë, mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore