Lajme

Ankandi në Las Vegas, 110 milionë dollarë për 19 kryevepra të Picasso-s


Në një hotel në Las Vegas janë shitur në ankand njëmbëdhjetë vepra arti të Pablo Picasso-s, të cilat janë ekspozuar atje për më shumë se dy dekada, për gati 110 milionë dollarë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se veprat në pronësi të MGM Resorts, u shfaqën në restorantin Picasso në Hotel Bellagio.

Megjithatë, kompania ka bërë me dije se ankandi do ta ndihmonte atë të përmirësonte diversitetin e koleksionit të arteve të bukura.

Ky ankand paraqiti nëntë piktura dhe dy pjesë qeramike të artistit spanjoll, i cili vdiq në vitin 1973.

Dhe i gjithë koleksioni përfshinte më shumë se 50 vjet prodhim artistik.

“Gruaja me beretë të kuqërremë”, kjo pikturë e vitit 1938, e cila paraqet të dashurën dhe muzën e Picasso-s, Marie-Thérèse Walter, arriti çmimin më të lartë për 40.5 milionë dollarë.

Fillimisht, shkruan “BBC”, pritej të shitej për 20 deri në 30 milionë dollarë.

Kurse një tjetër kryevepër, portreti “Homme et Enfant”, u shit për 24.4 milionë dollarë.

“Me një lartësi prej afro dy metrash, vepra e vitit 1959 është një shembull jashtëzakonisht mbresëlënës i arritjeve të Picasso-s gjatë kësaj faze të rëndësishme në karrierën e tij”, ka thënë shtëpia e ankandeve, Sotheby.

Në shitje u përfshi edhe “Nature Morte au Panier de Fruits et aux Fleurs”, e cila u pikturua nga Picasso gjatë pushtimit nazist të Parisit në vitin 1942.

Kjo e fundit u shit për 16.6 milionë dollarë.

“Me gjithë shkatërrimin dhe vështirësitë e Luftës së Dytë Botërore, vitet midis 1940-s dhe ’44-s rezultuan në një nga periudhat më të pasura të Picasso-s”, ka treguar Sotheby.

Referuar “BBC”, koleksioni nisi më shumë se 20 vjet më parë nga amerikani Steve Wynn, ish-pronari i hotelit Bellagio.

Shitja ishte pjesë e një përpjekjeje të hotelit për të shtuar më shumë vepra nga gratë, artistët e pakicave dhe ato nga vendet në zhvillim.

Ndërkaq, emrat e blerësve nuk janë bërë të ditur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore