Lajme

Anijet dhe nëndetëset ruse u panë pranë vendeve të shpërthimit të “Nord Stream-it”


Zyrtarët evropianë të sigurisë të hënën dhe të martën vëzhguan anijet e furnizimit të marinës ruse pranë zonave të rrjedhjeve në tubacionet Nord Stream që mund të shkaktoheshin nga shpërthime nënujore.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali amerikan “CNN”, duke iu referuar dy oficerëve të inteligjencës perëndimore dhe një burimi tjetër të njohur me këtë çështje.

Ata thanë se është e paqartë nëse anijet kishin ndonjë lidhje me shpërthimet, por ky është një nga shumë faktorë që hetuesit do të shqyrtojnë.

Nëndetëset ruse u panë gjithashtu javën e kaluar pranë zonës ku ndodhi sabotimi, tha një zyrtar i inteligjencës.

Tre zyrtarë amerikanë thanë se SHBA-të ende nuk kanë një shpjegim të plotë të asaj që ndodhi, disa ditë pas shpërthimeve.

Këto të fundit, kanë shkaktuar katër rrjedhje të veçanta dhe të njëkohshme në dy tubacione.

Sipas një zyrtari ushtarak danez, anijet ruse operojnë rregullisht në zonë.

Ai theksoi se prania e anijeve nuk tregon domosdoshmërisht se Rusia ka shkaktuar dëme.

Në të njëjtën kohë, Rusia po tërheq vëmendjen më të madhe nga zyrtarët evropianë dhe amerikanë si i vetmi lojtar në rajon që besohet se ka aftësinë dhe motivimin për të dëmtuar qëllimisht tubacionet.

Si Danimarka ashtu edhe Suedia po hetojnë, por ekzaminimi i vendit të ngjarjes nuk ka përfunduar ende.

Detajet se çfarë i shkaktoi saktësisht shpërthimet mbeten të paqarta.

Kryeministrat e Danimarkës dhe Suedisë thanë publikisht të martën se rrjedhjet ishin më shumë rezultat i veprimeve të qëllimshme dhe jo aksidenteve.

Shërbimi suedez i Sigurisë tha të mërkurën se mundësia që “një shtet i huaj qëndron prapa shpërthimit” nuk mund të përjashtohet.

 

Nord Stream, hetime dhe akuza për sabotim. Kujt i shërben?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore