Opinione / Politikë

Nord Stream, hetime dhe akuza për sabotim. Kujt i shërben?


Bordi editorial Albanian Post

Suedezët dhe danezët, të cilët vunë në gatishmëri marinat e tyre, folën menjëherë për sabotim. Jo pa arsye. Para së gjithash, rrjedhjet në pjesën nënujore që ndodhën pothuajse njëkohësisht në tre pika, kanë shkaktuar rrjedhje gazi nga strukturat që janë tuba çeliku të papërshkueshëm nga uji dhe të mbrojtur nga një mburojë e fortë betoni.

Sizmografët regjistruan dridhje të barazvlefshme me tërmete ose shpërthime. Duke qenë se në atë zonë nuk ka pasur asnjë tërmet, shpjegimi për shpërthimin mbetet ai reali.

Të gjithë bien dakord për një gjë: që bëhet fjalë për “sabotazh”. Nuk ishte një aksident, por “aksion i qëllimshëm” që hodhi në erë tubat e Nord Stream 1 dhe 2 në tre vende thellë në Detin Baltik, në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë. Sipas gjetjeve fillestare, dëmi mund të jetë “i pariparueshëm”.

Në mungesë të provave, qeveritë perëndimore mbeten të kujdesshme, megjithëse shumë ekspertë perëndimorë dyshojnë se Rusia qëndron pas saj.

Disa politikanë në Poloni dhe Ukrainë dyshojnë se është një sulm rus. Edhe pse zyrtarisht kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, saktëson: “Nuk i dimë detajet, por mund të shohim qartë një akt sabotimi”.

Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, përgjigjet se akuzat janë “idjote dhe absurde” dhe i kthen dyshimet ndaj Uashingtonit dhe Kievit. Të gjithë të tjerët për momentin janë të kujdesshëm dhe presin të mbledhin elementë konkretë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen tha: “Është vërtet e vështirë të imagjinohet se e gjithë kjo ka ndodhur rastësisht”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, lëshoi ​​një mesazh: “Është një akt i papranueshëm dhe prek të gjithë evropianët. BE-ja do të duhet të përgjigjet në mënyrë të bashkuar”.

Një koncept i ripërsëritur më pas nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Evropa kërkon një hetim ndërkombëtar.

Rusët thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe ndërkohë njoftojnë se kanë hapur një hetim “për terrorizëm”.

Autoritetet gjyqësore suedeze dhe finlandeze kanë nisur gjithashtu hetime paralele.

Shërbimi i sizmologëve suedezë ka identifikuar gjurmët e shpërthimeve të fuqishme nënujore, pranë rrjedhjeve të gazsjellësit që lidh drejtpërdrejt Rusinë me Gjermaninë.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, njoftoi se gjyqësori po shqyrton “të gjitha lëvizjet e anijeve në Detin Baltik, duke u përpjekur të identifikojë çdo kalim pranë kanalit”.

Shtëpia e Bardhë është gjithashtu e kujdesshme. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan flet për “sabotim të dukshëm”.

Në Uashington dhe gjetkë,  habiti ajo çka tha Radoslaë Sikorski, parlamentar evropian dhe ish-ministër i Jashtëm polak, dhe bashkëshorti i Anne Applebaum, një nga ekspertet më të mira për Rusinë. Sikorski ka postuar një foto të detit që gurgullon me fjalët “Faleminderit SHBA”.

Një rindërtim i ngjarjes me qëllim diskreditimin e administratës demokrate erdhi nga gazetari i “Fox News”, Tucker Carlson. Carlson transmetoi një klip të 7 shkurtit 2022, në të cilin Biden paralajmëroi Putinin: “Nëse pushton Rusinë, Nord Stream 2 do të pushojë së ekzistuari”.

Mund të jetë një rastësi, por e njëjta video po jepet në këto orë nga Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Përgjigja nga Shtëpia e Bardhë është e thatë: “Akuza qesharake”.  Gjithësesi, nesër do të flitet për këtë në Këshillin e Sigurimit.

Nord Stream 2, megjithatë, nuk hyri kurrë në funksion dhe më 22 shkurt, kancelari gjerman Olaf Scholz urdhëroi të ndalonin punimet, pothuajse në përfundim. Ndërkohë më 2 shtator, Gazprom kishte ndërprerë rrjedhën e gazit në Nord Stream 1. Duhet përmendur se konsorciumi kontrollohet me 51% nga grupi rus; pjesa tjetër është në pronësi të dy kompanive gjermane, Wintershall Dea AG dhe E.On, një kompani holandeze, Nederlandse Gasunie dhe në fund një kompani franceze, Engie.

Sipas të përjavshmes gjermane “Der Spiegel”, CIA (Agjenica e Inteligjencës amerikane) kishte paralajmëruar disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, për sulme të mundshme kundër Nord Stream. Informacioni, megjithatë, konsiderohet shumë “i paqartë” për të qenë në gjendje të aktivizojë kundërmasa efektive në një rrugë 1 mijë e 222 kilometra të gjatë.

Gjëja më e lehtë, në mungesë të provave në lidhje me këto shpërthime, është të mbështetesh në logjikën deduktive se “kush përfiton” nga kjo?

Kush do të kishte interes për të kryer këtë akt sabotimi? Kush përfiton nga dëmtimi i një infrastrukture kaq të rëndësishme dhe të shtrenjtë, e cila për vite ishte një arterie jetike energjie nga Lindja në Perëndim? Duhet thënë ama që është një infrastrukturë, aktualisht e papërdorur.

Nord Stream 2, më i ri nga të dy Nord Stream-et, nuk filloi kurrë të pomponte gaz sepse u bllokua nga sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

Nord Stream 1, nga ana tjetër, ishte një instrument i kundër-sanksioneve të vendosura nga Putin mbi evropianët. Gazprom mbylli çezmat e Nord Stream 1 nga fundi i gushtit deri në fillim të shtatorit, fillimisht me justifikimin e mos ardhjes në kohë të turbinave në mirëmbajtje në Kanada, më pas me një qëllim të qartë për të ndëshkuar klientët evropianë.

“Kush përfiton” është pak e ndërlikuar, sepse efektet e këtij sabotimi janë menjëherë zero: ka dëmtuar një gazsjellës jo të plotë (Nord Stream 2) dhe një tjetër që ka pushuar së furnizuari Evropën (Nord Stream 1). Edhe pse gazi vazhdon në tubat e të dyjave, pasi presioni i gazit është thelbësor për t’i mbajtur ato tuba në gjendje të mirë.

Gjithësesi, në tregun e Amsterdamit pati një rritje të çmimeve, megjithëse të kufizuara. Efekti psikologjik ishte më se i justifikuar: sabotimi është shkak për lloj-lloj hamendjesh se kush qëndron pas tij dhe cilat mund të jenë hapat e ardhshëm.

Në rrjetet mediale po qarkullon ideja “Çfarë interesi do të kishte Rusia për të sabotuar veten, një infrastrukturë që i ka kushtuar miliarda euro dhe që deri dje e pasuronte atë?”. Për rrjedhojë, sipas kësaj llogjike dyshimet duhet të drejtohen në drejtim të kundërt: në Perëndim.

Çështja është se nëse perëndimorët organizojnë një sulm në territorin perëndimor (zona e rrjedhjes së gazit është në një shtrirje deti midis brigjeve suedeze gjermane dhe daneze), herët a vonë kjo do të dalë në dritë. Sepse kjo është natyra e demokracive. Edhe nga vetë shërbimet sekrete do ketë rrjedhje. Herët a vonë dikush ka interes t’i kalojë informacione të paqarta një gazetari, një gjyqtari ose një OJQ-je. Kjo është ajo që ka ka ndodhur gjithmonë.

Në luftërat e fundit amerikane, nga Iraku në Afganistan, ka pasur gjithmonë një Assange ose një Snowden për të zbuluar lloj-lloj katrahurash. Dhe skandalet kanë pasoja në demokraci.

Anasjelltas, Putin mund të helmojë një kundërshtar në truall britanik, mund të mohojë gjithçka dhe të mbetet në pushtet shumë vite pasi të ketë kryer një atentat.

Çfarë avantazhi do të kishte Rusia në sabotimin e Nord Stream?

Sipas gazetarit Federico Rampini të “Corriere della Sera”, aktualisht ekzistojnë tre hipoteza. E para e përshkruan sulmin si një gjest tjetër që synon të gjenerojë pasiguri në tregjet e energjisë, të rrisë çmimet, të dëmtojë evropianët dhe të rrisë presionin politik ndaj të cilit Moska po i nënshtron ata me sanksionet e saj. Në këtë drejtim do të shkonte edhe reagimi i Bursës së Amsterdamit, që përcakton faturat e energjisë elektrike të shumë përdoruesve evropianë.

Një hipotezë e dytë është paralajmërimi. Sulmi i djeshëm goditi një infrastrukturë ruse, sigurisht, por kushdo që e bëri dje, mund të godasë diku tjetër nesër. Aftësia teknike për të orkestruar tre shpërthime nëndetëse në një zonë që duhet të monitorohet nga afër nga NATO, midis brigjeve të dy vendeve anëtare (Gjermania dhe Danimarka) dhe një anëtari të ardhshëm (Suedia), është një shenjë se sa të ekspozuar dhe të pasigurt jemi. Kushdo që arriti të realizojë shpërthimin në tre ngarkesa në një thellësi të madhe përgjatë gazsjellësit Nord Stream, në të ardhmen mund të synojë një infrastrukturë më jetike: për shembull, termocentralet ose centralet bërthamore në territoret e NATO-s.

Një hipotezë e tretë është të duket e pakthyeshme rruga e kthesës gjeostrategjike të Rusisë drejt Lindjes. Nxjerrja e Nord Stream jashtë veprimi do të thotë të zhdukësh shpresat se një ditë marrëdhëniet midis Moskës dhe Evropës mund të normalizohen.

Nëse, gjithnjë nëse, do të ishte Putin që ka dashur ato sulme, kjo do të të ishte një mënyrë për t’u treguar ndjekësve të tij se e ardhmja e Rusisë do të përqendrohet përgjithmonë në marrëdhëniet me Kinën dhe Indinë. Dhe për të cilën nuk ka kthim prapa. Perëndimi do të jetë armik përgjithmonë. Ky mund të jetë një mesazh kundër aspirantëve në Rusi për grusht shteti, në një fazë në të cilën Putin përballet me një farë rezistence kundër mobilizimit masiv dhe luftës.

Të gjitha këto hamendje tregojnë për një skenar shqetësues pasojat e të cilit në të ardhmen nuk mund të dihen ku sulmet ndaj infrastrukturave tona mund të jenë pjesë e një kapitulli të ri i luftës hibride brenda kapitullit të sulmeve kibernetike.

 


Lajmet kryesore