Aplikacione

Anëtarët e Kongresit për mbrojtjen e fëmijëve në internet


Anëtarët e lartë të Kongresit, demokratë dhe republikanë, janë shprehur të vendosur të frenojnë aftësinë e kompanive të mëdha teknologjike që synojnë fëmijët nëpërmjet një fronti të ri që do të ndërmarrë rregulla të ashpra kundër tyre.

E përditshmja, Financial Times, zbulon se anëtarët e Senatit dhe Dhoma e Përfaqësuesve, kërkojnë miratimin e ligjeve të reja për të frenuar kompaninë e mediave sociale në ofrimin e produkteve, të cilat synojnë moshat nën 16 vjeç.

Fokusi i tyre është rreth çështjeve që mbulojnë të dhënat dhe privatësinë.

Përpos kompanive të mediave sociale që kanë nisur të punojnë mbi versione të platformave të tyre dedikuar për përdoruesit e rinj, angazhime në mbrojtje të privatësisë së përdoruesve të rinj ka pasur edhe nga një koalicion në rritje të mbështetjes dypartiake në Capitol Hill.

“Koha që fëmijët kalojnë në internet ka shkuar në qiell gjatë pandemisë dhe mungesa e masave mbrojtëse ligjore për të mbrojtur fëmijët teksa ata përshkojnë ekosistemin në internet është më e dukshme se kurrë”, ka thënë anëtari demokrat i komitetit të tregtisë në Senat, Ed Markey.

Ai ka shtuar se “ne duhet të jemi të gjithë në gjendje të biem dakord që fitimet e korporatave nuk mund të vihen përpara mirëqenies së fëmijëve”.

Nga ana tjetër, republikania e kabinetit të energjisë dhe tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve, Cathy McMorris, ka thënë se “për shumë kohë, këto kompani kanë refuzuar të shfaqen në lidhje me dëmet që mund të shkaktojnë platformat e tyre, të tilla si ndikimet negative në shëndetin mendor të fëmijëve”.

Gjatë muajit të kaluar, anëtarët e komitetit të energjisë dhe tregtisë në një seancë dëgjimore, iu kanë drejtuar shefave ekzekutivë të Facebook-ut, Twitter-it dhe Google-it – Mark Zuckerberg, Jack Dorsey dhe Sundar Pichai – një sërë akuzash për mënyrat se si ata ndjekin fëmijët në internet duke i ekspozuar ata përballë përmbajtjeve të papërshtatshme.

Anëtarët mendojnë se këto përmbajtje janë vendosur për të krijuar varësi dhe për të ndikuar në shëndetin mendor të fëmijëve.

Sipas Financial Times, privatësia në internet e fëmijëve, përmbajtja në të cilën fëmijët mund të kenë qasje dhe kompanitë teknologjike, mbeten tre fushat kryesore që kanë marrë vëmendjen e politikanëve këto kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore