Lajme

Andi Pajazitit i vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj për vrasjen në Bon Vivant


Andi Pajaziti.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, Andi Pajazitit, i njohur si “Italiani”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Me datë 04.09.2023, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.P, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se më 1 shtator, Pajaziti ka qenë në Klinikën e Ortopedisë në QKUK për vizitë specialistike.

“Ju njoftojmë se bazuar në lejen e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda si dhe nga rekomandimi mjekësorë, me datë 01.09.2023 i pandehuri A.P ka qenë në Klinikën e Ortopedisë të QKUK-së për vizitë specialistike”.

Foto nga 4 gushti kur ndodhi vrasja në lokalin “Bon Vivant”.

Më 5 gusht, pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person ka humbur jetën, kurse kanë mbetur të plagosur shtatë persona, në lokalin “Bon Vivant” që ndodhet në Prishtinë.

Të dyshuar se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, janë: Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, si dhe Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.

Pajaziti apo “Italiani”, është kapur nga policia, pasi që i njëjti është plagosur dhe ndodhej në spital, kurse më 28 gusht ai është dërguar në Burgun e Sigurisë në Dyz.

Ndërsa Dukagjin Nikollaj, ka arritur që të shmanget dhe ndodhet në arrati.

Po ashtu, Nikollaj është i kërkuar nga FBI, i dyshuar si pjesë e bandës “Krasniqi Organization”.

Komuna e Prishtinës po synon që përmes krijimit të policisë për kryeqytetin, vendosjen e kamerave dhe kontrolleve më të rrepta, t’i parandalojë incidentet e ngjashme si rasti i 5 gushtit kur në lokalin “Bon Vivant”.

Tashmë në policinë e Kosovës, sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, është hartuar struktura organizative për themelimin e policisë së kryeqytetit.

“Pas rastit tragjik jemi takuar me drejtorin e policisë në Prishtinë, Basri Shabanin, dhe kemi kërkuar edhe në atë takim që të përshpejtohen procedurat për krijimin e policisë së kryeqytetit. Na është thënë se policia e ka miratuar strukturën organizative dhe tash mbetet që ata t’i vazhdojnë procedurat e tyre”, kishte thënë Fushtica për Albanian Post.

Sipas tij, iniciativa për krijimin policisë së kryeqytetit është imperativ i kohës dhe është prioritet i kryetarit Përparim Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore